Sat, Nov 23, 2024

Dyshohet se do vriste një 24-vjeçar me precedent kriminal, policia ndalon në kohë të riun, por arratiset. Arrestohet miku i tij pasi…

  • PublishedMay 26, 2023

ELBASAN

Policia e Elbasanit ka ndaluar në kohë një ngjarje kriminale. Një 23-vjeçar është zbuluar teksa i ishte vënë pas një shtetasi me precedent kriminal, të cilin po e kërkonte për shkak të një konflikti të mëparshëm ndërmjet tyre.

Por 23-vjeçari Brikin Rusta hodhi armën e zjarrit në rrugë dhe u largua për t’i shpëtuar shërbimeve të Policisë. Vijon kontrolli i zonës për lokalizimin dhe kapjen e tij.

Ndërkohë, kapet dhe vihet në pranga një 41-vjeçar (lidhje shoqërore e 23-vjeçari), pasi iu gjetën në banesë drogë, armë dhe municion luftarak.

Strukturat hetimore dhe operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me ato të Komisariatit të Policisë Elbasan, falë informacioneve të siguruara nga inteligjenca informative, se një shtetas i pajisur me armë zjarri, kërkonte të vriste një 24-vjeçar të dënuar 2 herë më parë, për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve (me të cilin ishte konfliktuar para disa ditësh), kanë organizuar menjëherë punën për parandalimin e kësaj ngjarjeje kriminale.

Në kuadër të operacionit policor të koduar “Plani”, shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontrolle të imtësishme në qytetin e Elbasanit, me qëllim parandalimin e kësaj ngjarjeje, si dhe për lokalizimin dhe kapjen e shtetasit që dyshohet se kishte planifikuar të kryente vrasjen.

Shtetasi Brikin Rusta, 23 vjeç, banues në Elbasan, në pamundësi për të realizuar planin e tij, si rezultat i presionit policor në terren, në lagjen “Qemal Stafa”, në rrugën “Tomorr Sinani”, ka hedhur armën e zjarrit në rrugë dhe është larguar. 23-vjeçari është shpallur në kërkim dhe vijon puna për kapjen e tij.

Shërbimet e Policisë, në vijim të veprimeve hetimore për këtë rast, të kryera në bashkëpunim me Prokurorinë, kanë ushtruar kontroll në banesën e shtetasit Boiken Bahiti, 41 vjeç, banues në Elbasan, ku kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, 1 armë zjarri automatik PMSH, municion luftarak, rreth 300 gramë lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa dhe një radio si të Policisë.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Boiken Bahiti, si dhe u shpallën në kërkim shtetasit Brikin Rusta, 23 vjeç dhe Klaudjo Sulmina, 22 vjeç (22-vjeçari i dyshuar bashkëpunëtor i shtetasit Brikin Rusta për kryerjen e kësaj ngjarjeje kriminale).

Strukturat hetimore të DVP Elbasan, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë hetimet e thelluara, me qëllim zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje.

Gjithashtu, vijon puna për kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.