Sat, Nov 23, 2024

“Kandidatit të FRD i shtuan 100 vota në procesverbal”, Koalicioni ‘Bashkë Fitojmë’ kërkon rinumërim të votave në 2 KZAZ në Lezhë: Na kanë hequr 2 mandate në Këshill

  • PublishedMay 26, 2023

Koalicioni “Bashkë Fitojmë” kërkon rinumërim të votave në 2 KZAZ në Lezhë. Sipas ankimimit në KAS, “BF” pretendon se i janë hequr 2 mandate në Këshillin Bashkiak.

Ata deklarojnë se kandidatit Lirim Torba të FRD i janë shtuar në procesverbal mbi 100 vota duke bërë që ai të kalonte pragun.

PRETENDIMI
Koalicioni “Bashkë Fitojmë” është regjistruar në zgjedhjet e 14 majit si subjekt zgjedhor ku garoi edhe për kryetar bashkie ashtu edhe për këshillat bashkiakë në të gjithë Shqipërinë.

Më datën 14 maj 2023 u zhvilluan zgjedhjet edhe në zonat zgjedhore 12 dhe 13 në Bashkinë e Lezhës, Qarku Lezhë.
Duhet theksuar se atmosfera në të cilën u zhvilluan zgjedhjet e 14 majit ishte mbytëse.
Besueshmëria e zgjedhësve te vota e tyre ishte shumë e vogël.

Gjithë procesi i votimit u zhvillua nën frymën e një terrori banditesk, nën frymën e intimidimit dhe shantazhit.
Kështu grupe të ndryshme kriminale, si edhe një pjesë e konsiderueshme e administratës publike, qendrore dhe lokale, arritën të ndikonin në mënyrë të paligjshme dhe tërësisht në kundërshtim me kuadrin ligjor, në gjithë procesin e zgjedhjeve vendore 2023, si në atë të votimit, por edhe të administrimit të votave të qytetarëve lezhjanë.

Me mekanizma joshës lejesh legalizimi, me para të shpërndara për tërmetin, me para të krimit të organizuar të cilat u shpërndanë ditën dhe natën dhe në shumë marramendëse,u intimiduan zgjedhësit, deri në atë masë sa këto zgjedhje nuk mund të administroheshin më keq se sa na tregojnë faktet. (fakte të njohura dhe të bëra të ditura mediatikisht).

E njëjta situatë ka vazhduar edhe në procesin e numërimit të votave në të dy qendrat e KZAZ-ve dhe përkatësisht në KZAZ nr.12 dhe KZAZ nr.13.

Procesi i numërimit të votave për Këshillin Bashkiak të Lezhës ka qenë aq i parregullt sa jemi të bindur se ka ndikuar në rezultatin përfundimtar të miratuar nga komisioni qendror i zgjedhjeve.
Në çdo komision numërimi ka patur parregullsi të rënda. Komisionere që largoheshin nga tavolina e numërimit dhe zëvendësoheshin nga njerëz të cilët ishin pa mandat, pa uniformë, duke përdorur edhe pije alkoolike nëpër tavolina të numërimit. (Kjo është e verifikuar nga telekamerat që tashmë posedohen nga KQZ-ja).

Koalicioni “Bashkë Fitojmë” ka ardhur në dijeni të faktit se gjatë numërimit të votave në KZAZ nr. 13 në tavolinat e numërimit të votave kanë qenë njerëz në konflikt të pastër interesi dhe në kundërshtim me ligjin. Ata kanë influencuar dhe ndryshuar rezultatin e numërimit në minutat e fundit të numërimit.

Në tavolinat e numërimit kanë qenë Indrit Torba dhe Sulo Torpa, nipat (djemtë e vëllait) të kandidatit për anëtar të këshillit bashkiak në Bashkinë Lezhë Lirim Torba.

Theksojmë se Lirim Torbës si kandidat i FRD-së se nipat e tij Indrit dhe Sulo, i kanë shtuar në procesverbal mbi 100 vota duke i dhënë kështu 653 vota, duke ngritur kështu pragun e tij dhe hequr mandatin e 7-të koalicionit me 4424 vota.

Pra duke qenë se diferenca është e vogël, prej 21 votash, si dhe në komisionet e numërimit kanë qenë njerëz të afërm të kandidatit të FRD-së, si dhe duke parë edhe papërgjegjshmërinë e komisionerëve të tjerë në tavolina të tjera, ne kemi dyshimin e arsyeshëm dhe jemi të sigurt se Koalicionit Bashkë Fitojmë i janë hequr mbi 2 mandate.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.