Sat, Nov 23, 2024

“Kemi bërë gjëra për të cilat s’jam krenar”/ Rama nuk kursen as të vetët: Kemi nga ata që kanë marrë gjithçka nga PS, por turpëruan familjen tonë

  • PublishedMay 26, 2023

Kryeministri Edi Rama, takimin e radhës e ka zhvilluar me qytetarët në Durrës, duke i falënderuar për mbështetjen e dhënë më 14 maj.

Gjatë fjalës së tij, kryeministri Rama u shpreh se niveli i ekonomisë do të pësojë ndryshime, duke shtuar se pavarësisht se Partia Socialiste ka bërë gjëra për të cilat ai nuk është krenar, ka ende shumë punë për të bërë në të mirë të qytetarëve.

“Ne kemi hyrë në një borxh shumë të madh duke i kërkuar votën njerëzve dhe duke i kërkuar të na besojnë ne se vetëm me ne shkohet përpara. Ajo që kemi marrë prej tyre është një sfidë shumë e madhe, e jashtëzakonshme”, u shpreh ai.

Megjithatë Rama nuk la pa shigjetuar as figurat nga radhët e Partisë Socialistë, edhe pse pa përmendur emra u shpreh se ka pasur edhe nga ata që kanë marrë detyra të larta, por nuk kanë mbajtur përgjegjësitë që u takojnë.

Më tej Rama tha: “Kemi bërë gabime. Kemi bërë edhe gjërat për të cilat unë nuk jam krenar dhe do të dëshiroja shumë që të mos i kishim bërë. Nuk flas për ju që jeni këtu, as për Anin, as për Entonin. Flas për udhëheqës të Partisë Socialiste. Flas për njerëz që kanë marrë gjithçka nga PS, por i kanë dhënë kosto në të gjithë këto vite. Flas për njerëz që kanë marrë detyra të larta, drejtimin e agjencive të rëndësishme dhe kanë turpëruar besimin dhe mbështetjen, flamurin tonë, familjen tonë”.


(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.