Sun, Nov 24, 2024

Shkrirja e Akademisë së Studimeve Albanologjike/ “Naze! Këta që janë kundër, dikur s’donin ndarjen”, Gjinushi: Bashkim institutesh, nuk rrezikon punën asnjë akademik

  • PublishedMay 29, 2023

Kreu i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi ka reaguar në lidhje me vendimin për shkrirjen e Akademisë së Studimeve Albanologjike.

I ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në News24, Gjinushi tha se vendit tonë i duhet një pol i fortë për shkencën, pasi është një prej kushteve që duhet të plotësojë Shqipëria për anëtarësimin në BE. Gjinushi nuk pranoi se bëhet fjalë për shkrirje të Akademisë së Studimeve Albanologjike, por bashkim të saj me Akademinë e Shkencave.

Sipas tij kjo nënkupton heqjen e kompetencave nga ministria e Arsimit dhe bashkimin e saj me Akademinë e Shkencave.

“Është shumë e qartë që është një bashkim, jo shkrirje. Me një VKM të ngjashme kanë ndodhur ndryshime të tilla, në 2007, që rezultoi një eksperiment i dështuar, ku u shkrin institutet dhe u ngritën më vete. Për pasojë ka dhe një debat publik për statusin e Akademisë së Studimeve Albanologjike. Duhet kuptuar se nuk bëhet fjalë për qëndrim ndaj një institucioni, por politikën që duhet ë ndjekim për strukturimin e kërkimit shkencor në Shqipëri, pasi mungon. Mbulohen disa fusha. Nuk kemi institute të kohësh psh. Ky është qëllimi i parë dhe arsyeja se pse Akademia e Shkencave ka ndërmarr këtë hap në bashkëpunim me ministren e Arsimit.

Një nga komponentët e kërkimit shkencor janë shkollat e larta. Arsimi dhe shkolla duhet të ecin bashkë, është i vetmi mjet. Kjo është kërkesë dhe vizioni i Akademisë. Ka pasur disa ide, ku Akademia të ngelej bord, pa vendimmarrje, thjesht promovues. Ka 2 vite para votimi të ligjit dhe dy vite tani që është bërë debati. E gjithë kjo ka qenë që Akademia të ketë dhe rol aktiv siç janë shumica e akademive në vend si yni. Akademia e Vjenës ka pranë vetes disa institute kryesore. Kjo pasi luan rol në formimin dhe promovimin e shkencëtarëve apo profesorëve që janë pjesë e saj. Ligji nuk përcakton se sa institute duhet të ketë, por e lë në vlerësimin e komunitetit shkencor se sa duhet të jenë. Pjesa më aktive e Akademisë do të jenë pjesë e këtij institucioni ku do të ketë 4 institute. Në ligjin e Arsimit të lartë instituti është njësi, s’ka reduktim për këtë gjë, por gjithëpërfshirje. Njësia më bazë është instituti kërkimor dhe do të quhen siç janë. Do të kenë të njëjtën organizim. Siç kanë punuar do të punojnë. I vetmi ndryshim është se nuk janë më nën Ministrinë e Arsimit, por nën Akademinë e Shkencave. Njerëzit nuk janë të papunës. Deri në 31 dhjetor do të quhen me këtë status dhe në 1 do të rikonfirmohen po me atë strukturë, me atë personel, madje dhe do e ristrukturojmë.”, tha kreu i Akademisë së Shkencave.

Ai sqaroi se kontratat e akademikëve të Akademisë së Studimeve Albanologjike është e përhershme.

“Jo! Ne e bëjmë kontratën të përhershme. Një nga njësitë e reja që synojmë është Nanoteknologjia. Është aplikuar për një projekt me 20 mln euro fond. Qëllimi është që të ngrihen njësi të reja dhe të strukturoren institutet, siç është IGJEUM-i. ASA është pasojë, pasi nuk e ka caktuar ajo statutin e vetë dhe që i kanë lënë me status të pazgjidhur me ligj. Këtë e kanë bërë qeveritë. Qeveria sot është e detyruar që të nxjerrë një akt për të rregulluar statusin, ose duhet të jetë pranë shkollave, ose pranë Akademisë së Shkencave. E vetmja strukturë që do të ndërrojë, është se s’do të ketë më borde administrimi, ku shumica kontrollohet nga Ministria e Arsimit, por do të ketë bord drejtorësh. Nuk do e ketë më këtë varësi nga Ministria e Arsimit. Me ligj Akademia e Shkencave dhe Akademia e Albanologjisë, s’i marrim asgjë njëri-tjetrit, por bashkohemi. Ky vendim është vendim emancipues i qeverisë se është e vetmja që lëshon një kompetencë që sot ka fuqinë dhe të drejtën e kontrollit financiar përmes bordit. Të dish që bordi ka shumë kompetenca. E keni parë kur bordi përplaset me rektorin, ka bllokime në universitet. Të gjitha komentet e tjera janë të pavërteta. Asnjëherë nuk është ndryshuar ky ligj. S’ju ka dhembur kaq shumë pushteti politik se sa ky pushtet. Ky nuk është pushtet, por vizion. Drejtuesit dhe ish-drejtuesit janë pjesë e Akademisë së Shkencave. Ne kemi punuar si trupë. Akademia merr përgjegjësinë. As ata nuk bënin dot pa ne, as ne pa ata. Ne drejtuesit e njësive s’i paguajmë fare deri më sot, mos u merakosni. Ata bëjnë punë vullnetare, pasi janë pjesë e akademisë. Ata do të paguhen si autorë. Sidomos për fjalorin. Dhe ideja është bërë së bashku, që mos të quhemi dy institucione.

Ne duam që pranë Akademisë së Shkencave, të jenë qendrat më elitare të kërkimit shkencor, si ASA apo dhe institute të tjera. Qëllimi është jo vetëm që të rrisim bashkëpunimin, por të evidentohen financimet për shkencën. Shqipëria është në prag të anëtarësimit, një nga kushtet është ai për shkencën. Kjo si arrihet? Rritja e prodhimit? Me këto struktura kërkimore që kemi ne nuk arrihet, se janë minimale. Po nuk fuqizove departamentet e kërkimit, këto lekë ose do t’i harxhosh kot. Nëse ngremë qendrën e Nanoteknologjisë, s’kemi merak se do të ngrihet pranë akademisë apo universitetit. Sido që të vihet ‘nën’ kuptimin formal, pasi ato janë të pavarura në vendime, rëndësi ka që të ngrihet. Ndaj s’ka bashkim pa naze (qesh). Këto gjëra janë ideua së bashku. Ne po bëjmë fjalorin e madh. Fjalori i madh ka dy drejtues. Ky bashkëpunim ishte i domosdoshëm, atyre iu duhej kontributi i profesor Jani Thomait, dhe ne na duhej bashkëpunimi me Akademinë e Albanologjisë. Çudia është që pse janë ndarë dhe jo se pse po bashkohen! Këta që flasin kundër bashkimit, kanë qenë kundër ndarjes. Kemi dy vite që kjo gjë konsultohet. Ne e kemi bërë publike përmes strukturave tona. E vetmja strukturë që ndërrohet është bordi i administrimit. Këtu te ne mungon poli i shkencës.”, theksoi Gjinushi.

Mes të tjerash Gjinushi u ndal dhe te komentet e kryeministrit Edi Rama për të.

“Rama ka pasur këtë bindje që akademia e mëparshme shkëlqente, dhe kjo e sotmja është zbehur. Por kjo zbehja është dhe shkak i heqjes së këtyre instituteve. Rama, një nga më skeptikët, u bë pozitiv. Kjo reformë sjell ringritje, ngritje të vepritmarisë së Akademisë. Rama tha; çuditërisht edhe këtu u desh një i asaj kohe. Dmth që të mëparshmit janë më të suksesshëm se ata të sotmit.”, tha ai, ndërsa nuk i kurseu ironitë për akademikë të tjerë, që sipas tij kanë qejf që t’i zënë vendin.

Po ashtu ai u ndal te ndryshimet ligjore për zgjedhjen e kreut të Akademisë së Shkencave. “Do të drejtojë deri sa asambleja të ma japë këtë besim. Një pjesë e senatit, kur janë veç e veç janë dakord, kur janë bashkë, ndryshojnë (qesh)”- mbylli fjalën e tij Gjinushi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.