“Situata në Kosovë është delikate, mund të lindë diçka e madhe”, Paskal Milo me tone të forta ndaj Kurtit: U tregua i papërgjegjshëm
Ish-ministri i Jashtëm Paskal Milo i ftuar në studion e emisionit “Open” në News24 ka folur në lidhje me tensionet në veri të Kosovës pas incidenteve të shkaktuara nga protestuesit serbë në Mitrovicë.
Sipas tij situata është aq delikate sa nga një gjë e vogël mund të lindë diçka e madhe, ndërsa theksoi se kjo nuk është një krizë kalimtare që zgjidhet me masa të pjesshme.
Milo shtoi se ajo që ndodhi ishte e paralajmëruar, ndërsa nuk kurseu kritikat për Albin Kurtin, i cili sipas tij kreu një veprim të papërgjegjshëm në një situatë të tillë delikate.
“Situata është aq delikate sa nga një gjë e vogël mund të lindë diçka e madhe. Kjo nuk është një krizë kalimtare që zgjidhet me masa të pjesshme apo akte të njëanshme. Zgjidhja e krizës në Kosovën e veriut është strategjike dhe do mund të jetë në kuadrin e një zgjidhjeje permanente dhe me vendosmëri për t’i dhënë fund kësaj situate.
Ajo që ndodhi ishte e paralajmëruar pasi disa muaj më parë filloi kriza me targat, shtyrjen e zgjedhjeve, etj. Me një shkëndijë të vogël, një veprim i papërgjegjshëm nga ana e kryeministrit Kurti në një situatë të tillë delikate. Kurti dhe qeveria e tij nuk kanë forcë të përballojnë sfida të tilla të mëdha. Forca e tyre qëndron të mbështetja e ndërkombëtarëve. Këtu e kanë forcën. Nuk e kanë të forcat policore apo ushtarake.
Nga pikëpamja parimore ndërkombëtarët i mbështetën zgjedhjet sepse ishin shtyrë. Ato nuk ishin zgjedhje, kur ka 2.5% pjesëmarrje. Ndërkombëtarët i mbështetën nga pikëpamja parimore që Serbia të kuptonte se edhe durimi ka një kufi. Pushteti ushtrohet nga kompetencat, nuk ushtrohet nga ndërtesat. Zbatimi i ligjit mund të ushtrohej edhe nga zyra të tjera. Këta kryetarë nuk e kanë jetën e gjatë në pikëpamjen e pushtetit, nuk shkojnë më shumë se disa muaj. Nuk ka sens”, u shpreh ai.
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
–