“U shkel ligji”/ Parlamenti Evropian thirrje qeverisë: Hetim prishjes së “Prestige Resort” dhe sulmit ndaj “News24”!
Parlamenti Evropian i bën thirrje Shqipërisë që të heqë dorë nga dhuna dhe kërcënimet ndaj medias teksa i referohet sulmeve ndaj “Hysenbelliu Group”.
Përmes një draftraporti të PE-së i kërkon qeverisë “Rama” që të marrë veprime deçisive kundër dhunës, intimidimit, fushatave të shpifjes dhe influencës indirekte financiare dhe politike ndaj medias së pavarur dhe gazetarëve. Eurodeputeti Michael Gahler u kërkon autoriteteve shqiptare që të ndërmarrin veprime të menjëhershme kundër ndërhyrjeve politike dhe ekonomike në media dhe frikësimit ndaj gazetarëve dhe bën thirrje për një hetim për prishjen e paligjshme të aseteve të lidhura me media të pavarura ose kritike ndaj qeverisë, siç është rasti me “Prestige Ressort” dhe “News 24”.
Në draftraport është paragrafi i 14, në amendamentin e propozuar nga eurodeputeti Michael Gahler në të cilin thuhet: “Shpreh shqetësimin e tij për mungesën e progresit në arritjen e transparencës institucionale, lirisë së shprehjes dhe lirisë së medias dhe thekson rolin e liderëve politikë në krijimin e një mjedisi të favorshëm për arritjen e këtyre lirive; dënon përpjekjet për të diskredituar gazetarët dhe fshehjen arbitrare të informacionit publik, si dhe dështimin për të garantuar sigurinë e gazetarëve; u kërkon autoriteteve të ndërmarrin veprime të menjëhershme kundër ndërhyrjeve politike dhe ekonomike në media dhe frikësimit ndaj gazetarëve; mirëpret tërheqjen e projektligjit kundër shpifjes; i kërkon qeverisë të sigurojë pavarësinë e transmetuesit publik dhe rregullatorit të medias dhe transparencën e pronësisë, financimit dhe reklamimit publik të medias.
Shpreh shqetësimin e tij serioz për regresin në lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias, mungesën e progresit në arritjen e transparencës institucionale dhe thekson rolin e qeverisë dhe liderëve politikë në krijimin e një mjedisi favorizues për ndjekjen e këtyre lirive; dënon përpjekjet për të diskredituar gazetarët dhe për të fshehur në mënyrë arbitrare informacionin publik nga autoritetet qeveritare, si dhe dështimin për të garantuar sigurinë e gazetarëve; u kërkon autoriteteve të ndërmarrin veprime të menjëhershme kundër ndërhyrjeve politike dhe ekonomike në media dhe frikësimit ndaj gazetarëve; bën thirrje për një hetim për prishjen e paligjshme të aseteve të lidhura me media të pavarura ose kritike ndaj qeverisë, siç është rasti me ‘Prestige Ressort’ dhe ‘News 24’; vëren tërheqjen e projektligjit kundër shpifjes dhe i bën thirrje qeverisë që të mos e prezantojë më atë si dhe dekriminalizimin e plotë të shpifjes nga legjislacioni penal në përputhje me rekomandimet e pazgjidhura të OSBE/ ODIHR dhe KE; i kërkon qeverisë të sigurojë pavarësinë e transmetuesit publik dhe rregullatorit të medias dhe transparencën e pronësisë, financimit dhe reklamimit publik të medias”.
PE shpreh keqardhjen e madhe për mungesën e progresit në arritjen e transparencës institucionale dhe përkeqësimin e situatës së lirisë së shprehjes dhe lirisë së medias, e cila reflektohet gjithashtu në uljen e ndjeshme të Shqipërisë në Indeksin e Lirisë së Shtypit të Reporterëve pa Kufij nga renditja 83 në 103. PE-ja thekson rolin e liderëve politikë në krijimin e një mjedisi të favorshëm për arritjen e këtyre lirive; dënon përpjekjet për të diskredituar gazetarët dhe fshehjen arbitrare të informacionit publik, si dhe dështimin për të garantuar sigurinë e gazetarëve; u kërkon autoriteteve të ndërmarrin veprime të menjëhershme kundër ndërhyrjeve politike dhe ekonomike në media dhe të ndalojnë sulmet verbale, fushatat e shpifjeve, frikësimet dhe (vetë)censurën kundër gazetarëve, veçanërisht atyre që raportojnë për sundimin e ligjit, korrupsionin dhe drejtësinë.
“U bën thirrje autoriteteve të miratojnë një kornizë ligjore që mbron gazetarët, mbrojtësit e të drejtave të njeriut dhe palët e tjera të interesuara nga paditë strategjike kundër pjesëmarrjes publike (SLAPPs); mirëpret tërheqjen e projektligjit kundër shpifjes; i kërkon qeverisë të sigurojë pavarësinë e transmetuesit publik dhe rregullatorit të medias dhe transparencën e pronësisë, financimit dhe reklamimit publik të medias; është i shqetësuar me vendimet e Kryeministrit Edi Rama për ndalimin e pjesëmarrjes së gazetarëve në konferencat për shtyp të qeverisë”, thuhet në draft/rezolutë.
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
–