Sun, Nov 24, 2024

Veliaj nga “Astiri”: Mirënjohje për të gjithë ata që na besuan të çojmë përpara Tiranën. Bëmë çerdhen e parë, tani ndërtojmë shkollat

  • PublishedMay 29, 2023

Zona e “Astirit” ishte ndalesa e radhës së kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në vijim të turit të tij falënderues pas fitores në 14 Maj. Ai tha se Partia Socialiste u është mirënjohëse atyre që e votuan dhe se puna do të vijojë pa dallim në çdo njësi e lagje të Tiranës.

“E kam zemrën me shumë mirënjohje për secilin prej jush. E keni vënë re, pala tjetër po kërkon kush e ka fajin në televizor, kurse ne shkojmë njësi më njësi duke vlerësuar këdo që dha kontribut dhe meriton mirënjohje. Kjo është diferenca e madhe! Edhe kur bëjmë fushatë jemi ndryshe, edhe kur bëjmë falënderimet jemi ndryshe nga ata. Kur ishim në fushatë thosha se ata janë si Big Brother, e kanë mendjen kë do nxjerrin nga shtëpia! Kurse ne themi kush do futet në shtëpinë tonë. Tani që ka mbaruar fushata themi kë do falënderojmë, kurse ata nëpër televizione thonë kë do mallkojmë. Janë dy filozofi të ndryshme. Ndaj, forca jonë fiton sepse punon. Ndaj edhe forca jonë e çon Tiranën përpara, sepse kemi këtë mentalitet”, u shpreh Veliaj.

Kreu i Bashkisë tha se, ashtu si çerdhja e parë, që u hap në “Astir”, ku deri dje projektet bllokoheshin, në këtë mandat do vijojnë investimet për infrastrukturën arsimore dhe atë rrugore.

“Sot jemi në një situatë ku kemi zgjidhur shumë problematika, por kemi ende shumë për të bërë. E filluam me çerdhen e parë, por duhet të vazhdojmë me shkollat e reja. Kemi bërë autostradën, kemi bërë unazën, kemi bërë aksin kryesor të Bulevardit “Migjeni”, por kemi pafund xhepa për të bërë. Parimi është: kush i bën 99 punë, mund të bëjë edhe 100 punë. Ndaj, do doja të falënderoja qytetarët e mrekullueshëm që firmosën një kontratë në një përmasë të paimagjinueshme më parë, duke na dhënë një besim si kurrë më parë për ta çuar Tiranën vetëm përpara. Ju jam shumë mirënjohës dhe mezi pres që në 4 vitet e ardhshme të bëjmë diçka që do transformojë komplet këtë njësi,” u shpreh më tej kreu i Bashkisë.

Një mesazh, Veliaj e kishte edhe për të gjithë ata qytetarë që nuk i besuan Partisë Socialiste: “Do t’iu shërbejmë të gjithëve njësoj, edhe pse kemi fituar 55%, do iu shërbejmë 100% të gjithë banorëve”.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.