Imami: Jo si gjeneralë në elitë, Egnatia modeli i duhur
Imami: Jo si gjeneralë në elitë, Egnatia modeli i duhur
30 May, 2023
30 May, 2023
Për futbollistët e Dinamos është kohë relaksi. Pas ngjitjes në Superiore, ata presin të mësojnë lëvizjet e klubit për sezonin e ri. Të gatshëm për t’i dhënë një dorë skuadrës, por me mend totalisht të reja.
I tillë është rasti i Eni Imamit, që ka mbyllur sezonin e dytë me fanellën e kryeqytetasve dhe ka provuar të dyja kategoritë… Si një lojtar që karrierën e ka filluar me këtë fanellë, pa dyshim që dëshiron të vazhdojë me blutë. “Patjetër dëshira është të vazhdoj me këtë skuadër, – thotë Imami për ‘Panorama Sport’. – Do të bisedoj me drejtuesit gjatë këtyre ditëve”.
JO SI GJENERALË – I pyetur më tej se çfarë duhet të bëjë Dinamo për të qenë kompetitive në këtë rikthim të dytë brenda në elitë, Imami, si një lojtar me eksperiencë, shprehet: “Të jemi realistë, Superiorja ndryshon jo pak me Kategorinë e Parë. Unë jam befasuar në fakt nga Kategoria e Parë, që kishte bërë shumë progres nga koha kur kisha luajtur unë, por gjithsesi Superiorja është tjetër nivel. Çfarë duhet të bëjmë? Së pari, të mos e nisim sezonin si gjeneralë dhe të flasim për titull. Është një garë shumë e vështirë dhe nuk duhet të bëjmë ato gabime që bëmë para dy vjetësh. Patjetër që duhen përforcime, por jo të ndërrojmë gjithë skuadrën, sepse kemi një grup të mirë lojtarësh. Duhet vepruar me shumë kujdes në këtë drejtim, për të afruar lojtarë që i shërbejnë vërtetë Dinamos. Nuk jam shumë për futbollistët e huaj, sepse kërkojnë më shumë kohë që të adaptohen me skuadrën. Duhen lojtarë që e njohin futbollin tonë, kjo është në të mirë të ne futbollistëve, por edhe të drejtuesve sigurisht, sepse ata shpenzojnë për Dinamon. E përsëris, duhet shumë kujdes te kjo pjesë”.
EGNATIA SI MODEL – Imami thekson më tej se për Dinamon do të ishte më mirë që sezonin e ri të “imitojë” Egnatian, duke iu referuar ecurisë së mirë të skuadrës rrogozhinase, që do të luajë në Europë. “Siç e thashë, duhet ta forcojmë skuadrën dhe të pretendojmë të shkojmë në Kupat e Europës, pra të jemi pretendentë për katërshen e parë. Për titullin është shumë e vështirë. Unë do të thosha se është mirë të ndjekim modelin e Egnatias së këtij sezoni, që ndërtoi një skuadër simpatike dhe shkoi në Europë me meritë të plotë. Për ta bërë një gjë të tillë duhet punë shumë e madhe nga të gjithë ne. Të shpresojmë që të jetë një sezon pozitiv për Dinamon”, ka thënë mbrojtësi 30-vjeçar i bluve.
FATJON RUPI -PANORAMASPORT.AL