KLGJ vijon procedurat për ngritjen në detyrë dhe lëvizjet paralele të gjyqtarëve
Këshilli i Lartë Gjyqësor, KLGJ vendosi të martën më 30 maj të vijojë procedurat për ngritjen në detyrë të katër gjyqtarëve pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, si dhe për procedurat për lëvizjet paralele pranë Gjykatës së Tiranës dhe asaj të Durrësit.
Tre gjyqtarët Niko Rapi, Paulin Çera dhe Artan Çupi u kualifikuan si kandidatë për tre pozicione të lira në fushën e të drejtës penale pranë Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm dhe u vendos vijimi i procedurave të ngritjes në detyrë të tyre.
Gjyqtari Niko Rapi u rikthye në detyrë nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, pasi një shkarkim i mëparshëm i KPK-së për cënim të besimit të publikut u rrëzua si i pabazuar. Ndërsa gjyqtari Artan Çupi u pezullua nga detyra prej KPK-së për probleme të profesionalizmit, por në përfundim, shumica e trupës çmoi si ai ia doli të përmirësohej pas një viti në Shkollën e Magjistraturës.
Paulin Çera u konfirmua në detyrë më 16 janar dhe vendimi ka marrë formë të prerë.
Po ashtu, KLGJ vendosi të martën verifikimin e kandidatit Laurent Fuçia të kritereve ligjore të kandidimit për ngritjen në detyrë në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë dhe për një pozicion të lirë në fushën penale në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm. Fuçia u konfirmua në detyrë nga KPK më 8 mars 2023, por bazuar në rekomandimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, Komisioneri Publik ushtroi ankim, duke kërkuar shkarkimin e tij për papërshtatshmëri në kriterin profesional.
Këshilli vendosi të fillojë edhe procedurat e përzgjedhjes së kandidatëve për lëvizje paralele në Gjykatat e Shkallëve të Para Tiranë e Durrës. Më 18 janar, KLGJ shpalli të lira 10 pozicione në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe 4 në atë të Durrësit. Nga sa u relatua në mbledhjen plenare të së martës, u mësua se për këto vende vakante kanë shpallur interes 36 gjyqtarë, nga të cilët 12 është vlerësuar se plotësojnë kriteret formale për të vijuar procedurët e verifikimit të kritereve të tjera.
Në mbledhje u miratuan ndër të tjera dhe ripërsëritja e transferimit të përkohshëm të gjyqtarit Hasbi Balliu pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Vlorë, si dhe rregullat standarde për organigramën, përshkrimin e detyrave dhe përgjegjësive të pozicioneve të nëpunësve civilë gjyqësore dhe punonjësve të tjerë të Gjykatës Administrative të Shkallë së Parë Tiranë dhe asaj të Lushnjës.