“Objektivi ishte Besmiri”/ Ish-miku i Dumanit ‘zbërthen’ vrasjen e vëllezërve Haxhiaj: U ‘maskova’ me kapele dhe jelek të OFL-së (Tentativat për eliminimin e Talo Çelës)
I penduari i drejtësisë, Henrik Hoxhaj para togave të zeza rrëfeu sot dhe detaje nga vrasja e dy vëllezërve, Besmir dhe Viktor Haxhiaj. Krimi ndodhi pranë tregut të automjeteve në Shënvlash të Durrësit më 2 mars 2020. Gazetarja Klodiana Lala ka siguruar për BalkanWeb dëshminë e Hoxhajt, dikur mik dhe bashkëpunëtor në krime me Nuredin Dumanit. Hoxhaj tha se si objektiv për të vrarë ata kishin Besmir Haxhiaj.
“Objektiv ishte Besmiri. Kur u afruam i pamë të dy, dhe Nuredini me Klevis Allën, i thanë njëri-tjetrit, “qenka me vëllain”.”, mësohet të jetë shprehur Hoxhaj. Mes të jerash si tha se Viktori, vëllai i Besmirit ishte rastësisht viktimë në këtë ngjarje.
“Dëgjova më pas se kishin plan tjetër edhe për atë por jo atë ditë. Sipas Nuredinit, Klevis Alla do na njoftonte, vrasjen do e bënim ne. Alla na priste me makinën. Mbaja veshur një jelek të kapele me mbishkrimin ‘OFL’. Nuredini më tha se i kishte gjetur në Elbasan. Kisha dy armë automatike në makinë, njërën në dorë tjetrën në xhepin e derës. Shoferi ynë u fut në parakalim kur i pamë vëllezërit, dhe nisa të qëlloj. Nuredinit s’po i shkrepte arma. Kam goditur me xhama mbyllur. Nuredinin se kam parë ç’ka bërë se nuk e kisha mendjen. Kam qëlluar edhe nga xhami i pasëm, shoferin e mjetit, Besmirin. Më pas zbrita dhe mora armën tjetër se më mbaruan plumbat. Qëllova sërish në drejtim të tyre për t’u siguruar. Me Klevis Allën që ishte shoferi ynë nuk kam folur asnjë fjalë. Madje teksa më shikonte në fytyrë një moment i kam thënë “ç’ke që sheh, kthehu para”.”, tha ai.
Po ashtu Hoxhaj tha se kapelet dhe jelekun me mbishkrimin e ‘OFL’ i kishin hedhur në rrugën dytësore në Vorë, kur po ktheheshin në Tiranë me Nuredin Dumanin.
Hoxhaj gjatë dëshmisë së tij identifikoi në seancë edhe Besian Xhixhon që ndodhej pas kafazit të qelqtë, duke thënë se e ka njohur në Shëngjin.
“Dumani më ka thënë se kishte siguruar eksplozivin me të cilin shpërthyen banesën e Talo Çelos. Talon as se kam takuar as njohur nga afër”, tha ai.
Ish-miku i Dumanit tregoi se si e thërriste shkurt i penduari i drejtësisë.
“Nuredini më thërriste “kusho”, asnjëherë me emër. Altin Ndocin ma ka treguar Dumani me foto, pasi unë se kam takuar as parë. Dumani e ka vëzhguar gjatë pandemisë disa ditë, por nuk e vrau dot Talon. Për vrasjen e vëllezërve Haxhiu, Dumani më dha 30 mijë euro. Kur i thash pse kaq pak, më tha “kusho, e kam hall personal, po ta kërkoj si nder”. Gjatë bisedave dëgjova, se donte t’i vriste për llogari të tij, por që me paratë e ndihmonte Erion Alibej. Alibej dyshonte se Ndoci dhe Besmiri kishin qenë të përfshirë në vrasjen e trefishtë në Bradashesh, ku vdiqën vëllai dhe xhaxhai i Alibejt dhe një shtetas turk”, përfundoi dëshminë Hoxhaj.
(BalkanWeb)
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
–