Projekti rreth 1 mld euro/ “Ata e hedhin ujin në det, ne e duam sepse…”, ujësjellës nga Gjirokastra në Pulia, mediat italiane: Qeveria shqiptare i jep ‘dritën jeshile’ Italisë
“Qeveria shqiptare i ka dhënë dritën jeshile ujësjellësit që do të lidhë Gjirokastrën me Galugnano, në Salento”. Kështu nis artikulli i Corriere, teksa thuhet se qeveria shqiptare ka autorizuar Italinë që të fillojnë planifikimin e ujësjellësit që do të lidhë Shqipërinë me këtë shtet.
“Shqipëria hedh një sasi të madhe uji në det dhe padyshim ka interes të paguhet për ujin. Ne kemi interes ta marrim sepse për ne uji do të thotë t’i japim një model të ri bujqësisë, të bëjmë turizmin të rritet dhe t’u japim një të ardhme të gjithë pulianëve”, deklaroi presidenti i rajonit të Pulias, Michele Emiliano, gjatë një konference për shtyp në Bari për investimet në sistemin e ujit.
Për të ndërtuar infrastrukturën do të duheshin 4 vjet punë dhe një miliard burime financimi nga BEI, BERZH, shteti italian, rajoni etj. Qëllimi është që çdo vit të transportohen 150 milionë metër kub ujë në Pulia, e cila vuan nga thatësira.
Propozimi u lancua në vitin 2022 nga presidenti i Confindustria Puglia dhe Bari-Bat, Sergio Fontana.
“Këtu në Pulia, ne kemi aftësitë për të qenë një pikë referimi kombëtare për politikën e ujit. Kemi Ujësjellësin Pulian, më të madhin në Evropë, stacionin e parë kontraktues në Pulia. Të bashkuar buzë detit Adriatik kemi përballë Shqipërinë, një vend shumë i pasur me ujë. Ne kemi marrëdhënie të jashtëzakonshme të ngushta me Shqipërinë. Ne kemi një mundësi të madhe për të trajtuar krizën e ujit, në mënyrë proaktive. Ne mund t’i japim jetë një projekti të madh dhe ambicioz: të ndërtojmë një infrastrukturë mbresëlënëse ujore në detin Adriatik midis Pulias dhe Shqipërisë”, tha Fontana, gjatë asamblesë vjetore të Confindustria Bari-Bat.
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
–