U shoqërua për 5 orë/ Kreu i Ujësjellësit Shkodër padit policinë: Sulm politik! Gjykata pushoi çështjen ndaj meje!
Policia e Shkodrës shoqëroi për disa orë Arvit Bushatin, nënkryetar i përgjithshëm i FRPD dhe drejtor i ndërmarrjes së ujësjellës kanalizime në Shkodër. Bushati u shoqërua nga policia me idenë se ishte një person i shpallur në kërkim, por në fakt policia është gabuar sepse personi në fjalë prej datës 17 maj është një person i lirë sepse dyshimet për ndihma ushqimorë gjatë fushatës elektorale kanë rënë poshtë nga Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër e cila vendosi që ta lërë të lirë Arvit Bushatin, por edhe zyrtarët e tjerë të bashkisë Shkodër që ishin të dyshuar.
Bushati pas shoqërimit në polici e quan një sulm politik nga policia e shtetit e cila sipas tij kërkon të intimidojë përfaqësuesit e PD në Shkodër. Pasi qëndroi për afro 5 orë në polici, ai ka bërë edhe një padi për policinë pasi pretendon se shoqërimi i tij ishte kundra çdo ligji të mundshëm.
Si ndodhi shoqërimi juaj në policinë vendore të Shkodrës, cila është arsyeja që ju shoqëruan?
Isha pas orarit zyrtar të punës dhe po konsumoja një kafe me përfaqësues të PD në Shkodër dhe në praninë tonë ishte edhe kryetari i bashkisë. Në ato momente u përballa me dy patrulla të policisë të cilat vetëm me dixhiturën ‘urdhër nga shefat, na vjen keq duhet të vish me ne’ më shoqëruan në masa të çuditshme për një lloj njeriu që nuk ka asnjë lloj shpjegimi ekstra për të bërë lidhjen me organet kompetente.
Pasi u gjenda në policinë e Shkodrës pashë hezitimin në fytyrat e tyre për urdhrat që kishin marrë nga drejtuesit politik të policisë së shtetit të kthyer në jeniçer pasi e kuptuan se masa dhe forma e ndalimit ishte totalisht e pabazuar në ligj dhe procedurë. Në kushte të tilla qëndrova prej 5 orësh i shoqëruar pa pasur asnëj lloj shpjegimi se cilat ishin arsyet që policia e shtetit bëri gjithë këtë organizim dhe gjithë këtë formë dhe mënyrë shoqërimi.
Në gjykimin tim ky është një sulm që bëhet sepse unë jam nënkryetari i përgjithshëm i Forumit Rinor të PD për gjithë Shqipërinë dhe gjykoj se kjo është një formë presioni që i bëhet përfaqësuesve të PD në Shkodër por kudo edhe në gjithë Shqipërinë. E dënoj me forcë qasjen që forcat e policisë kanë më Partinë Demokratike”.
Shpallja në kërkim që keni pasur ka rënë poshtë nga gjykata apo vijoni të jeni si i dyshuar?
Gjithë deklarimi që kam patur për të bërë në lidhje me organet kompetente për një çështje që është e montuar nga organet e policisë së Shkidrës unë e kam bërë pranë prokurorisë së rrethit dhe që nga data 17 maj unë vijoj punën time funksionale kështu që nuk kishte asnjë arsye një formë e tillë shoqërimi.
A e cilësoni si një sulm politik shoqërimin tuaj nga policia e Shkodrës?
Absolutisht që po sepse forma e shoqërimit me një numër të madh patrullash, me alarme, me sinjale , me sirena mes rrugëve të qytetit, me porosi që i jepen gjatë momentit të shoqërimit në telefon ‘e kapëm, po vijmë, bëhuni gati’, absolutisht e gjykoj fort se ka në prapavijë të fortë politike në thelb për intimidimin e përfaqësuesve të PD.
A keni bërë një padi për policinë e shtetit?
Më momentin që unë kryeva qëndrimin e padrejtë që mu bë, unë kam bërë një padi për policinë e Shkodrës por nuk e di të them të drejtën me sa shpresë do të jenë ato fakte që unë kam renditur do të merren parasysh.
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
–