Sat, Nov 23, 2024

Pasaportat e “arta” të Shqipërisë, ambasadori holandez: E kam shqetësim, shtetësia europiane nuk është për t’u shitur

  • PublishedJune 1, 2023

Ambasadori holandez në Shqipëri, Reinout Vos, vlerësoi vendimin e qeverisë shqiptare për të pezulluar iniciativën e pasaportave “të arta” deri në shqyrtimin në gjykatën ndërkombëtare të çështjes së Maltës.

Deklaratën ai e bëri gjatë një tryeze të Komitetit Shqiptar të Helsinkit lidhur me publikim e raportit te pasaportave të arta.

“E rëndësishme të diskutohet për çështje si pasaportat e arta, një proces që kërkon mendjen dhe përfshirjen e segmenteve të ndryshme të shoqërisë dhe ekspertëve. Shqipëria ka kryer procedurat e duhura duke pezulluar iniciativën Ligjore deri sa gjykata ndërkombëtare të shkurtojë çështjen e Maltës. Propozimi i Shqipërisë për pasaportat e “tregut” është një çështje sa politike aq dhe shoqërore që ka të bëjë me vlerat, traditat, migracionin, luftën kundër krimit të organizuar si dhe mbrojtjen e qytetarëve të BE-së. Kjo do të thotë që shtetësia e BE-së nuk është për shitje! Ky është mendimi im për këtë temë diskutimi. Nuk kam mesazhe të forta por kam shqetësim që duhet ta ndaj”, tha ambasadori holandez.

Sipas tij “të jesh vend anëtar i BE-së do të thotë të respektosh kushtet dhe kriteret e vendosura. Të qenurit anëtar i BE do të thotë shumë rreth përgjegjësisë për të mbrojtur të drejtat e shtetësisë së BE-së dhe pasaportat janë mbrojtja më e mirë për këtë. Përsa i përket çështjes së dytë që do të diskutohet sot, kontrolli financiar i shoqërive me zotërim publik, Qeveria duhet të jetë përgjegjëse sepse nuk mund t’ja lësh gjithçka në dorë kompanive dhe tregut të lirë”.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.