Sun, Nov 24, 2024

“PD të bashkohet, ikja e Berishës nuk garanton fitore”, deputeti i PD: Ekonomia po mbahet nga kokaina, 23-vjeçarët po ndërtojnë kulla

  • PublishedJune 1, 2023

Deputeti i Partisë Demokratike Dashnor Sula, i ftuar në studion e emisionit “Frontline” në News24 ka folur në lidhje me situatën politike në vend.

Sula deklaroi se nëse nuk ndodh bashkimi i opozitës në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2025 nuk do ketë marrje të pushtetit nga opozita, por situata do bëhet edhe më e rëndë.

Ai shtoi se rezultati i 14 majit ishte një tregues i fortë edhe pas humbjes edhe të bastioneve demokrate, për bashkimin e Partisë Demokratike, e cila sipas tij duhet të përfshijë edhe Sali Berishën dhe jo ta përjashtojë.

Sa i përket situatës ekonomike në vend, Sula deklaroi se “këtij shteti nuk vjen nga pagat por nga korrupsioni dhe vjedhja”.

Sipas tij ekonomia në vend po mbahet nga krimi i organizuar dhe shitja e kokainës, që më pas sjellin dhe ndërtimin e kullave që nuk justifikohen.

“Nëse nuk mendojnë për të ardhmen e shqiptarëve le ta lënë Shqipërinë në dorën e regjimit. Ta garantoj një gjë. Nëse nuk ndodh bashkimi i opozitës u garantoj se në vitin 2025 demokratët të mos gënjehen se do fitojnë pushtet, por do jenë keq e më keq. 14 maji ishte shenjë paralajmëruese për të gjithë. Me kaq gjynahe sa ka kjo qeveri, njerëzve u duken të gjithë njësoj dhe të gjithë cilësohen të këqij. Pyetja është pse opozita nuk ngre frymën dhe revoltën brenda qytetarëve.

Si mund të humbet Kukësi, Shkodra, Tropoja, Dibra, Kamza, etj. Si mund të humben këto bastione. Pse nuk i humb PS bastionet. Sepse dinë të punojnë bashkë edhe pse bëjnë pisllëqe. Ne nuk e kemi atë frymë, Nuk them se duhet të ikë Berisha dhe do fitojmë. Zgjidhja është vetëm bashkimi i opozitës.

 

Ditën e martë do bëj një apel miqësor të gjithë anëtarëve të PD të ngrihen në lartësinë e duhur dhe jo të interesave individuale. Rithemelimi duhet të kuptojë se nuk i ka të gjithë njerëzit, por edhe ne morëm vota prej siglës. Duhet të ketë bashkim. Është çmenduri nëse vijojmë kështu dhe presim rezultate të ndryshme.

Unë do kontribuoj për shoqatën e jetimëve në Peqin, nuk tërhiqem nga ajo që them. Këtë e bëj me kënaqësi. Dua të sqaroj se nuk kam qenë kundër rritjes së pagave sepse ka njerëz që e meritojnë, por ka dhe të tjerë që s’e dinë fare sa lekë marrin dhe nuk e meritojnë të jenë në ato karrige. Nuk e vjen e keqja këtij shteti nga pagat e administratës, por nga korrupsioni dhe vjedhja. Nëse nuk ka korrupsion ka aq shumë para për të gjithë. Ka deputetë dhe ministra që e shohin kryeministrin dhe lëpihen sikur është Krishti apo Muhamedi. Më përzihet kur e shoh këtë. E respektoj kryeministrin, por ata nuk janë zotër dhe gabojnë. Në momentin që ti lëpihesh dhe i bën mesazhe dashurie kryeministrit vijmë në këtë situatë.

Ekonomia në Shqipëri mbahet nga tregu i kokainës dhe drogës e krimit. Fakti që janë rritur depozitat në euro e tregon. Ndërtohen kulla në mes të Tiranës dhe nuk verifikohet nga shteti, ku një 23-vjeçar ndërton kullë pa marrë një kredi. Nuk mund të mbahet një ekonomi në këtë formë”, u shpreh ai.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.