Analiza/ Genc Burimi: Nuk mund të ketë ribërje të zgjedhjeve në Kosovë pa u bërë “Asociacioni”
Europa duket sikur po e merr ajo në dorë mbarëvajtjen e situatës së tensionuar në Kosovë duke detyruar palët , të paktën verbalisht, që të ribëhen zgjedhjet lokale në veri të Kosovës.
Por a do kenë Makron dhe Sholz me shumë shanse në atë pike ku dështoi administrata amerikane përballë Albin Kurtit ? Nuk është fare e sigurt …
Në lojë nuk janë kryebashkiakët në veri të Kosovës por Asociacioni i komunave serbe.
Nuk është fare habi që pala kosovare iu përgjigj pozitivisht dhe menjëherë « urdhrit » të evropianëve që zgjedhje të reja të organizohen në veri të Kosovës. Por pala serbe nuk u dëgjua të prononcohej në këtë pike. Po të mjaftoheshim vetëm me analizën e rimbajtjes se zgjedhjeve, pa dyshim pala kosovare del « e fituar » nga ky episod. Qeveria Kurti pikërisht atë dëshiron, pjesëmarrje të serbëve në zgjedhje aty ku amerikanët dështuan megjithë thirrjet e Gabriel Eskobar në prill që pala serbe mos të bojkotonte dhe se zgjedhjet duhej të mbaheshin edhe pa, serbët. Pjesëmarrje e serbëve në zgjedhje do të thoshte se ata i njohin institucionet e Kosovës. Pra nëse arrijnë ta bëjnë këtë Makron dhe Sholz kjo do të jete një arritje e jashtëzakonshme qe dhe amerikanët do ta kenë zili. Prandaj presidentja e Kosovës Osmani dhe kryeministri Albin Kurti duartrokasin ribërjen e zgjedhjeve nëse Makron dhe Sholz arrijnë vërtetë të bindin serbët qe te mos bojkotojnë kësaj here.
Por fatkeqësisht rrezikon të mos jetë kështu se medalja ka dhe anën tjetër që quhet asociacion. Dhe këtu humbet Kurti dhe fiton Vuçiç.
Në tryezën e bisedimeve në Moldavi, është tepër e rëndësishme të theksohet se çifti franko-gjerman nuk kërkoji vetëm ribërjen e zgjedhjeve por dhe plotësimin e kushtit tjetër që ka vënë Beogradi për të mos i penguar serbët e Kosovës të hynë në zgjedhje. Dhe ja ku rikthehemi serish tek tema “e pazgjidhshme” e asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosove, një detyrim për Kosovën qe nga viti 2013. Është ky një kusht I panegocjueshëm që vë Beogradi tash e prej shumë kohësh . Mospranimi nga qeveria e Kurtit për të realizuar këtë kusht i shërbeu si pretekst Presidentit te Serbisë të tërheqë serbët nga institucionet kosovare dhe biles të mos zbatojë planin franko gjerman për normalizimin e marrëdhënieve Beograd Prishtinë. Një pjesëmarrje e serbëve në zgjedhjet e riorganizuara do të ishte sinonim i rikthimit të serbëve në institucionet kosovare , gjë që Vuçiç nuk do ta lejojë pa parë më parë krijimin e asociacionit të komunave serbe.
Çifti Makron Sholz s’ka bërë pra gjë tjetër veçse është rikthyer në pikën zero , aty ku e lanë amerikanët. Eskobar me muaj të tërë bëri presion mbi Prishtinën që të realizonte detyrimin e palës kosovare për krijimin e këtij asociacionit. Kurti ka refuzuar deri tani me vendosmëri , por amerikanët ia hapën megjithatë dritën jeshile të mbajtjes së zgjedhjeve edhe pa asociacionin me shpresën se ose një pjesë e serbëve do të merrnin pjesë në zgjedhje duke I bërë ato legjtime, ose serbët do të tregoheshin indiferent pas rezultatit. Nuk ndodhi asnjëra as tjetra, Serbët u turrën ne revolt të dhunshme për të mos lejuar zbatimin e rezultat të zgjedhjeve që ata bojkotuan. Këtë lojë pokeri se këto zgjedhje do kalonin pa shumë zhurmë Shba-te e humbën sepse me sa duket nuk e kishin llogaritur mire shkallën aq të lartë të agresivitetit të serbëve për të mos i lejuar kryebashkiakët shqiptarë të shkonin të merrnin detyrën. Një fajtor duhej, dhe fajtori ideal qe Kurti , ndonëse siç e përsëriti Kryeministri kosovar nga tribuna e Kuvendit të Kosovës këtë të premte, vendimi për të shkuar në zgjedhje u morr me miratimin e amerikanëve.
“Asociacioni” , avantazhe dhe rreziqe, nevojitet referendum.
Shumë shpejt , do të shohim se Europa nuk ka avancuar më shumë se Shba-të për aq kohë sa Albin Kurti refuzon asociacionin , mëma e të gjitha tensioneve aktuale në Kosovë.
Populli kosovar duhet të vendosë, me referendum, si Britanikët për Breksitin, nëse ai do apo nuk do « asociacionin” që mund të shndërrohet në një « Donbas » të dytë, përballë një Serbie të vendosur për të mos hequr dorë jo vetëm nga veriu I Kosovës por nga e gjithë Kosova.
Debati që ka përfshirë mbarë trevat shqiptare mbi mënyrën e drejtë apo katastrofike si po vepron kryeministri I Kosovës Kurti duket i pavend.
Populli i Kosovës me gjakftohtësi duhet të reflektojë dhe të vendosë, ai vetën , dhe vetëm ai , mbi një çështje që e tejkalon politikanin e përkohshëm Kurti. Çfarë do Kosova për vitet e ardhshme për veriun e Kosovës. Ka vetëm dy opsione dhe secili mbart avantazhe por dhe shumë rreziqe.
Njëri opsion është që Kosova të ndryshojë ligjin dhe kushtetutën dhe të pranojë krijimin e Asociacionit të komunave serbe ne Kosove. Ky opsion ka avantazhin e madh se Kosova “ripajtohet” me Shba-të, me BE-në dhe me bashkësinë ndërkombëtare në përgjithësi sepse ulet menjëherë tensioni. Ky opsion ka po ashtu avantazhin ta hedhë topin e presionit ndërkombëtar tek Beogradi meqenëse Kosova do e ketë përmbushur detyrimin e saj për Asociacionin. Menjëherë pas realizimit të Asociacionit, BE-ja do t’i kërkojë Vuçiçit që të respektojë dhe ai planin franko-gjerman për fillimin e njohjes së pavarësisë së Kosovës me vendosjen pikësëpari të misioneve diplomatike të ndërsjellta në Beograd dhe Prishtinë.
Opsioni tjetër, ai po ndjek Albin Kurti sot, është refuzimi i Asociacionit megjithëse kjo përbën detyrim ndërkombëtar për Kosovën. E meta e këtij opsioni është diametralisht e kundërta e opsionit të parë. Refuzimi I Asociacionit provokon prishje të Kosovës me aleatët e saj dhe e nxjerr Vuçiçin si një njeri të paqes që i zbaton detyrimet me kusht që Kosova të realizojë të sajin, Asociacionin. Por avantazhi i këtij opsioni, dhe këtu kërkohet vëmendja e të gjithë faktorit politik dhe të zgjedhësve në Kosovë është se ajo nuk lejon krijimin institucional të një Dombasi të dytë në Veri të Kosovës. Dilema është e qartë , a ja vlen që për hir të rregullimit të marrëdhënieve me perëndimorët , Kosova t’i ekspozohet një rreziku afatmesëm të krijimit të një situate të ngjashme me atë në Lindje të Ukrainës që përfundoi në luftë megjithë Marrëveshjet Minsk 1 dhe 2 që ishin të ngjashme me formulën e Asociacionit në Kosovë?
Opsioni I dytë, mospranimi I Asociacionit duket pra më I rrezikshëm në planin afatshkurtër pasi Kosova do te vihej nen një presion ndoshta te papërballueshëm ndërkombëtar. Por, për interesat kombëtare afatgjata të Kosovës, ky refuzim I Asociacionit do te ishte më i dobishëm. Në një gjykim me gjakftohtësi, Asociacioni i komunave serbe do të kishte qenë pa rreziqe për copëtimin e Kosovës vetëm nëse në Beograd do te ekzistonte një pushtet demokratik dhe jo nacionalist, kusht qe nuk plotësohet sot. T’i dhurosh Vuçiçit kartën e Asociacionit, është t’i hapesh derën te panjohurës se ç’vjen mbrapa. Kësaj te panjohure as vetë ndërkombëtarët nuk janë ne gjendje t’i paraprijnë për Kosovën ashtu siç nuk mundën ata t’i paraprijnë instrumentalizimit nga Putini te rusëve në Dombasin e Ukrainës që përfundoi siç u pa në një konflikt me përmasa që askush nuk do t’i kish imagjinuar…
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
–