EMRAT/ Me urdhër të SPAK, arrestohet Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Shëndetësisë dhe një tjetër zyrtare
Më urdhër të SPAK, ditën e sotme janë vënë në pranga Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Shëndetësisë, Joana Duro, si dhe Laura Shteto, Specialiste te “Bashkëqeverisja”.
Nga informacionet e para të siguruara për BalkanWeb nga gazetari Igli Çelmeta, mësohet se dy zyrtaret akuzohen për korrupsion.
Lidhur me këto arrestime reagoi pak më parë edhe kryeministri Edi Rama, i cili në turin e tij të falënderimeve në Tiranë, u shpreh se është e tmerrshme mungesa e sensit të etikës dhe të bihet në këtë nivel.
Gazetari Igli Çelmeta ka raportuar se bëhet fjalë për Joana Duron dhe Laura Shtetën respektivisht, të cilat janë monitoruar prej kohësh nga Prokuroria e Posaçme.
Sipas tij ato akuzohen se kanë shpërdoruar detyrën përmes korrupsionit me 4 milionë lekë. Po ashtu ka dyshime se dy të arrestuarat kanë abuzuar me një tender me vlerë 2 milionë euro, gjë që nuk është verifikuar ende nga SPAK.
SPAK ka konfirmuar zyrtarisht se Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Shëndetësisë Joana Duro është arrestuar në kuadër të një operacioni në zhvillim e sipër.
Prokuroria e Posaçme ka zbuluar po ashtu se Duro është arrestuar në flagrancë gjatë korrupsionit, ku dyshohet se është kapur duke marrë para.
(BalkanWeb)
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
–