Sat, Nov 23, 2024

Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri lirohet nga burgu

  • PublishedJune 2, 2023

Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka lënë qelinë të premten, pasi gjyqtarja Matilda Fetau e Gjykatës së Elbasanit ka pranuar një kërkesë të tij për zëvendësimit e dënimit me burg me “qëndrim në shtëpi”.

Kërkesa e Tahirit për dënim alternativ është regjistruar në gjykatën e Elbasanit në 20 shkurt dhe vendimi është marrë më 2 qershor. Avokati Maks Haxhia, që përfaqësoi Tahirin në këtë kërkesë, parashtroi ekspertiza mjeko-ligjore mbi të cilat bazohej kërkesa për lirim.

Në njërën prej tyre parashtrohet gjendja shëndetësore e Tahirit dhe në tjetrën ajo e bashkëshortes së tij. Avokati ka pretenduar se Tahiri nuk mund të qëndronte më në qeli dhe se duhej të kujdesj për fëmijët në një situatë kur bashkëshortja ishte e sëmurë.

Ndërkohë, prokurori Mustafa Turku nuk iu përgjigj pyetjes së BIRN mbi qëndrimin që ai kishte mbajtur për këtë kërkesë.

Në vendim, gjykata i ka lënë tagër të lirë Shërbimit të Provës ta lejojë ose jo Tahirin të dalë nga shtëpia sipas nevojës. “Lejohet i dënuari Saimir Bashkim Tahiri, që gjatë periudhës së qëndrimit në shtëpi të largohet nga vendbanimi tij për plotësimin e nevojave të domosdoshme familjare për të cilat Shërbimi i Provës është dakord,” thuhet në vendimin e shkurtuar. Gjykata vendosi që lirimi të bëhej menjëherë.

Kjo nuk është hera e para që Tahiri përfiton zbutje të dënimit nga gjykata. Në mars 2023, ai përfitoi 90 ditë ulje dënimi për sjellje të mirë. Sipas vendimit të gjykatës, deri në atë moment Tahiri kishte kryer 1 vit e 1 muaj e 22 ditë burgim. Nga llogaritë e bëra mbi bazë të vendimit që ndryshoi dënimin e tij nga burg në qëndrim në shtëpi, Tahiri ka bërë rreth 1 vit e katër muaj burg, ka përfituar tre muaj ulje dënimi dhe i mbeteshin për të shlyer edhe 1 vit e 8 muaj e 15 ditë dënim.

Tahiri u dënua përfundimisht në 4 shkrut 2022 nga Gjykata e Posaçme me 3 vjet e 4 muaj burg për akuzën e shpërdorimit të detyrës.

“Gjykata ka konkluduar se i pandehuri Saimir Tahiri provohet tej çdo dyshimi të arsyeshëm se ka përfituar nga Moisi Habilaj dhe Artan Habilaj shërbime dhe përfitime të padrejta dhe se njëkohësisht shpërdorimi i detyrës ka dëmtuar interesat e ligjshëm të shtetit,” deklaroi gjykata në shpalljen e vendimit.

Ministër i Brendshëm gjatë mandatit të parë të qeverisë “Rama”, Saimir Tahiri u vu nën shënjestrën e organeve të drejtësisë në tetor të vitit 2017, pasi autoritetet italiane goditën një grup të strukturuar kriminal në trafikun e marijuanës, që drejtohej nga vëllezërit Habilaj – të afërm të Tahirit.

Prokuroria e akuzoi Tahirin për trafik të narkotikëve dhe kërkoi arrestimin e tij, por shumica parlamentare socialiste e bllokoi kërkesën për arrestim dhe e sulmoi hetimin e prokurorisë si të njëanshëm.

Në shtator 2019, Tahiri u shpall i pafajshëm për akuzat e trafikut të narkotikëve dhe grupit të strukturuar kriminal, por u dënua nga Gjykata e Krimeve të Rënda me 5 vjet burg për shpërdorim detyre, dënim i cili u konvertua me 3.4 vjet për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Vendimi u kontestua në Apel dhe në Gjykatën e Lartë dhe pas rikthimit për shqyrtim prodhoi sërish të njëjtin rezultat. Tahiri këmbënguli në pafajësinë e tij.