Nga njohja te zgjerimi i familjes, rrëfehet si rrallëherë partnerja e Elvis Pupës
Prej vitesh me humorin e tij, së fundmi edhe me pjesëmarrjen në “BBV”, Elvis Pupa është një nga personazhet më të dashur për publikun.
Pas nuk mbetet as partnerja e tij, Belina Pupa e cila së fundmi ka bërë një rrëfim ndryshe për podkastin “Zë me Mirën”. Në këtë rrefim të saj Belina tregon nga njohja me Visin tek planet për fëmijë.
Pjesë nga intervista:
Mira Kazhani: Kur u thashë disa miqve që do të të kisha në podcast, automatikisht merrja reagimin nga ata: Bashkë me Vis Pupën? Pa Vis Pupën. Belina ka shumë gjëra për të treguar për veten e saj. Ideja e këtij podcasti Bela është që ne të gjejmë njerëz që kanë histori për të treguar, jo vetëm për nga fama e tyre. Pavarësisht se ti në Shqipëri njihesh më shumë për nga Visi.
Belina Pupa: Po. Nusja e Vis Pupës. Faktikisht unë kam emër. Belina Pupa. Mbiemri është i Visit, po emri është i imi (qesh). Më pëlqen edhe me zor kam prit, sepse je ti.
Do ta nisim me ty 12 vjeç. Në Shkodër, në 1998-ën kur bashkë me familjen, me motrën dhe me nënën nisesh për t`iu bashkuar babait që ishte emigrant në Amerikë, në Detroit. Pas kaq shumë vitesh, kur e sheh në perspektivë, ti je rritur, je edukuar, je shkolluar, ke punuar… Ishte fat që shkove në Amerikë apo ndonjëherë ke raste kur thua: Ndoshta të kisha qëndruar këtu.
Belina Pupa: Them se ishte shumë fat i madh. Ishte shumë mirë që ne ikëm. Po në të njëjtën kohë, siç ishte shumë mirë, kishte edhe vështirësitë e veta. Aq shumë sa kemi përfituar, aq na ka munguar edhe vendi ynë, rrethi i ngushtë, familja, shoqëria. Fakti që unë kam ikur në moshë aq të vogël, 12 vjeç, në klasën e shtatë pak a shumë… dhe kur ishim në shkollë të gjithë ishim nga klasa e parë shokë e shoqe. Gjithë ky rrethi, familja, shoqëria, ti i lë mbrapa. Fillon një jetë të re ku duhet të bësh miq të rinj. Shoqëria jote bëhet edhe familja jote. Se ti ke mungesë. Unë në Amerikë kam pasur familjen time, xhaxhallarët. Po shumica e njerëzve nuk e kanë pasur fatin tim.
Mira Kazhani: Gjëja e parë që të bëri përshtypje në Detroit kur shkove?
Belina Pupa: Ne kemi shkuar atje në Nëntor edhe s`e harroj kurrë kur ishim nga aeroporti për në shtëpi, shikoja vetëm borë, borë, borë, borë. Na u duk një lumturi: Ua sa bukur qenka këtu. Pastaj ajo bora vjen edhe të mërzitet se thua kur po pushon. Se vazhdon ashtu. Detroit është një qytet shumë i ftohtë. Po përveç klimës që e ka të ashpër, kam pasur shumë jetë të mirë në Detroit. Kam punuar shumë me familjen. Familja jonë, nëna, baba, motra, kemi qenë shumë të bashkuar.
Mira Kazhani: Edhe ‘axhat’.
Belina Pupa: Po, edhe xhaxhallarët. Ata ishin rrethi ynë i dytë. Ishin gjithmonë në sofrat tona. Mblidheshim të gjithë bashkë edhe këndonim në tavolinë. Sot burri im më thotë: Sa mirë i di ti këto këngët e vjetra. I them, jam rritur me axhat, me babin që të gjithë këndojnë në tavolinë kur hanë bukë.
Mira Kazhani: Mua më duket sikur jashtë ka një tendencë edhe më shumë për t`i ruajtur traditat.
Belina Pupa: Patjetër. Ne e quajmë sikur jetojmë në një “time capsule”. Se ato gjërat që i kemi lënë në vendin tonë, ashtu i mbajmë. I marrim me vete dhe nuk i harrojnë, madje i përforcojmë tek fëmijët tanë, tek nipër mbesa. Nipi, mbesa ime kanë mësuar shqip prej këngëve dhe humorit që kemi parë. Mbesa ime katër vjeçe ka mësuar nga “Portokallia” për të folur shqip.
Mira Kazhani: Ka mësuar nga Visi.
Belina Pupa: Po nga Visi (qesh). Po Detroit apo Amerika për mua ka qenë bazë e mirë, sepse atje jam shkolluar, kam punuar shumë, atje kam pasur eksperienca të ndryshme pune. Në kohën që isha në Universitet kam bërë eksperienca të ndryshme punësh. Në higjienë dentare kam punuar asistente, kam larë pjata, kam punuar kameriere, kam punuar në real estate. Mendoj sa më shumë punë të ndryshme të bëjë një njeri, aq më shumë eksperienca ka dhe aq më i përgatitur është ta përballojë jetën. Edhe anën sociale më shumë, sepse punon me njerëz të ndryshëm.
Mira Kazhani: Kulmin e pate në Real Estate si agjente në kohën kur ishte kriza financiare e shekullit, në 2008-ën, në Amerikë.
Belina Pupa: Ishim një skuadër që punonim në “Century 21”. Kemi pasur shumë sukses për gati 12 vite. Kemi bërë qejf, sepse kur ndodhi kriza, ne ishim të parët që ishim në fushën e Real Estate. Disa njerëz kishin shumë fat me krizën, disa të tjerë kanë humbur çdo gjë. “Right place, right time”, ishte për mua. Mbas asaj jam njohur me Visin.
Mira Kazhani: Do shkojmë tek Visi, por do rrimë edhe pak këtu. Do shkojmë se s`ka kuptim historia jote pa Visin (qesh). Më intrigon ky moment, sesi një krizë, për dikë sjell fat.
Belina Pupa: Ne kemi pasur një shprehje këtu në Shqipëri, e thoshte gjyshja ime. Nëqoftëse ti si ke lekët për të blerë diçka, mos merr kredi. Ne e kemi pasur, nëse s`i ke lekët për ta blerë kalin, mos e bli kalin. Mos i merr lekët borxh, ka qenë ideja. Ne si emigrantë në Amerikë kemi kursyer. Nuk është se në Amerikë kemi bërë ndonjë jetë luksi. Jo, jeta ime në Amerikë ka qenë shkollë, punë, gjumë. Shkollë, punë, gjumë dhe në fundjavë, mbase një ditë të shtune ishte dita që sistemoja gjithë rrobat çfarë do vishja gjatë javës tjetër. E diela mund të ishte një piknik me familjen. Aq kemi pasur. Nuk është se kemi shijuar jetën në emigrim për të thënë që kemi bërë jetë qejfi. Nuk kemi bërë jetë qejfi. Kemi bërë jetë pune. Kemi pasur shumë gjëra në anën materiale, por ana sociale… Vetmia të mbyt. Pavarësisht se ke gjithë këta njerëzit rreth teje, ke nevojë për moshën tënde. Ke nevojë për shokë e shoqe. Nuk është se nuk i kemi pasur. Se unë jam rritur atje me çdolloj race. Që tek indiani, tek afgani, tek europiani. Është si “Melting Pop”, një kulturë që i përzien të gjithë bashkë. Kjo ka qenë një gjë shumë e mirë, sepse gjithmonë kam dashur të jem një shtetas i botës, jo shtetas i Shqipërisë, ose i Amerikës. Ne sot jetojmë në një kulturë që marrim të gjithë nga njëri-tjetri. Çfarë ke dëshirë të marrësh ti është krejtësisht kapaciteti yt, se çfarë vlen tek jeta jote. Siç kultura jonë ka shumë tradita të mira, ashtu kanë edhe kulturat e njerëzve të tjerë dhe mundesh t`i përvetësosh, edhe t`i bësh pjesë të jetës. Varet çfarë kërkon ti si individ. Edhe opsionet janë kudo. Fakti që ne ishim një familje që kishim ardhur nga nje vend i varfër, siç ishte në atë kohë për ne Shqipëria ku pak a shumë të gjithë kishin një nivel, o klasë e mesme… Në Shqipëri babin e kam pasur aviator. Mamin e kam pasur llogaritare. Ishin njerëz me shkollë dhe punë të mira. Në Amerikë babai im arriti të lajë pjata. Nëna ime pastronte hotele.
Mira Kazhani: Historia pak a shumë e të gjithë emigrantëve shqiptarë. E emigrantëve në përgjithësi.
Belina Pupa: Po ishte një sakrificë shumë e mirë për mua dhe motrën time, sepse neve na dha krahë për të shkuar në shkollë. Kemi punuar shumë bashkë. Tërë jeta e prindërve të mi ishim unë dhe motra që të edukoheshim, të shkolloheshim, të bënim diçka me veten. Ta bënim jetën në Amerikë siç ata e kishin bërë në Shqipëri me arritjet e tyre.
Mira Kazhani: Ke qenë shumë e lidhur me babain, i cili nuk jeton më, për fat të keq. Tani është mami në Amerikë me motrën. Ti je në Adelaide, në Australi. Për çfarë të vjen më shumë keq që babi s`është tani? Padyshim që humbja e një prindi është një boshllëk i madh, por kur shikon jetën tuaj të stabilizuar…
Belina Pupa: Të them të drejtën që në momentin që kam humbur babain unë e shikoj jetën në një prizëm komplet tjetër. Siç ka qenë një humbje shumë e madhe, që e kam vuajtur, më ka lënë një mesazh shumë të madh babai, që jeta duhet të shijohet dhe duhet të jesh vetvetja gjithmonë. Babai im ka qenë një pjesë e madhe e jetës time dhe ka qenë shoku im më i mirë. Me të s`kam pasur nevojë të flisja shumë se kuptoheshim me sy. Ikja e babait më ka lodhur shumë. Për një periudhë kohe kalova në depresion. Pavarësisht se prej punës që bëj, unë një vit e gjysmë isha shumë keq. Tani jam shumë më mirë. Po dhimbja është aty. Vdekja vjen me dallgë. Në sensin që dhimbja nga vdekja kur humb një njeri shumë të afërt janë si dallgët e detit dhe ndonjëherë të vjen të qash. Pastaj thua, pse jam duke qarë? Unë isha mirë. Po kështu është vuajtja, zemërimi. Nuk na ikën kurrë mërzia për njerëzit që humbim. Unë babain gjithmonë mundohem ta kujtoj me mesazhet pozitive dhe çfarë më ka thënë të bëj për jetën time. Një nga mesazhet që më ka lënë amanet ishte: Të lutem qetësohu! Sepse energjitë i kam…
Mira Kazhani: E thotë edhe Visi tani… Ai mirë ka thënë po ty kështu të shkon.
Belina Pupa: T`i kthehem pyetjes tënde, kur më vdiq babai, unë prita që nëna të ishte edhe babai, edhe nëna. Ishte pritshmëria ime. Për shumë kohë isha shumë e mërzitur me nënën. Për çdo gjë mërzitesha me të, sepse pritshmëritë e mia për nënën ishin shumë të mëdha. Nuk e pranoja që më kishte humbur babai. Tani jam shumë mirë dhe mendoj se në jetë duhet të jemi sa më të vërtetë. Nëse je vetvetja dhe je i vërtetë nuk ka asnjë gjë në botë që të mërzit, që të tundon që të bën të bën të bësh diçka që nuk është e jotja, kur ti je i sigurtë tek vetja. Kur ti e di se çfarë kërkon, se çfarë do, duhet të jesh i vërtetë. Edhe ke jetë shumë të qetë.
Mira Kazhani: Me mamin si e ke raportin tani?
Belina Pupa: Shumë mirë. Mamin e kam lënë në shtëpi tani.
Mira Kazhani: Është në Shqipëri?
Belina Pupa: Po është në Shqipëri. Ka ardhur të qëndrojë këtu, sepse kishte dasmë dhe vija unë. U takuam, ajo nga Amerika, unë nga Australia. Ajo është ok. Ashtu vazhdon e mërzitur, por që gëzon se na ka neve.
Mira Kazhani: Nuk është e lehtë humbja e partnerit.
Belina Pupa: Kam edhe një nip dhe një mbesë që i dua shumë. Ata na kënaqin neve dhe ne për ata jetojmë. Çdo gjë që ne bëjmë kemi qejf që ata ta transmetojnë tek jeta e tyre. Të kenë një jetë të gëzuar dhe të jenë qytetarë të denjë. Njerëz të mirë.
Mira Kazhani: Duket një njeri që është rritur në perëndim ‘qytetarë të denjë’. Nuk është pasuria, nuk është fama, nuk është suksesi që t`i jep të gjitha. Më pëlqeu shumë kjo. Kur të takova më bëri shumë përshtypje se më fole me po aq dashuri, edhe shumë me empati për vjehrrin tënd, për babain e Visit, i cili është ndarë nga jeta dy-tre vjet më parë. Më the një shprehje shumë të goditur do thoja.
Belina Pupa: Babai i Visit për mua ka qenë shumë shok. Kishte një energji që transmetonte gjithmonë… ka pasur një filtër që ishte gjithmonë si ‘happy kid’. Çfarëdo që mendonte, ta thoshte. Nuk ështe se kishte filtër. Kur i bëja ndonjëherë unë flokët kaçurrela thoshte: “Kështu nuk të shkojnë fare. S`më pëlqen”. Ishte shumë i sinqertë dhe kisha një raport me të. Kur ai iku, m`u duk sikur mua më vdiq babai. Pastaj kur humba babain, kuptova çfarë domethënë vërtet të të vdesë babai. Them që ka qenë një humbje shumë e madhe për mua dhe Visin që të dy nuk i kemi më baballarët, por që humbja e tyre na ka lidhur shumë më shumë, sepse i kemi kaluar bashkë. I kemi kaluar bashkë qarjet. I kemi kaluar bashkë gëzimet. I kemi kaluar bashkë momentet. Dhe them se asnjë gjë në botë nuk të përgatit të humbasësh një prind.
Mira Kazhani: Edhe kur je psikologe.
Belina Pupa: Po, edhe kur je psikologe. Në botë, kur ne lindin, dy avokatët në tokë janë nëna dhe babai. Janë me fat njerëzit që mund t`i kenë edhe nënën edhe babain. Neve që i kemi pasur apo i kemi akoma të dy prindërit, jemi shumë me fat, sido qofshin ata. S`ka asnjë prind perfekt. S`ka asnjë fëmijë perfekt. Asnjë nuk është perfekt. Bota mund të imagjinohet si dy fëmijë që kanë bërë një fëmijë. Kujtdo prindi një mesazh nëse mund t`ia jap. Nëse e shohin podcast-in tim, që do e shohin, e di, është që sa më fjalë pozitive tek fëmija. Fëmijës duhet t`i bërtasësh ndoshta kur bën gabim. Po fëmijët duhet t`i thuash edhe je shumë mirë, kur është mirë. Se pak a shumë prindërit shqiptarë ose kultura jonë e kemi pak që themi: T`i bërtas njëherë që ta ketë. Se kur ta thyejë gotën, s`kam çfarë i bërtas më.
Mira Kazhani: Para-bërtitje. Para-presion. E kemi kulturë këtë në shoqërinë tonë.
Belina Pupa: Ne jemi shumë të dashur, por jemi dhe shumë të dhunshëm. I kemi të dyja bashkë.
Mira Kazhani: Do ndryshojnë gjërat. Po ndryshojnë shumë. Gjenerata e prindërve të rinj ka ndryshuar. Ne jemi fëmijët e prindërve që na kanë para-bërtitur. E kishim në xhep.
Belina Pupa: Edhe me këta prindërit që janë gjithmonë…. Nuk jam dakord. Do thotë shumica, çfarë di ti, se ti s`ke fëmijë? Unë flas me teori. Me teori jam e paparë.
Mira Kazhani: Je eksperte, të takon të flasësh.
Belina Pupa: Edhe si teze, jam teze shumë e mirë. Besoj, se ashtu më thonë. Mendoj se prindërit shqiptarë, sidomos brezi ynë që janë bërë prindër tashmë po rritin fëmijë të mrekullueshëm. Unë e kam pak me ata prindër që ngaqë shumë gjëra na kanë munguar neve, ndoshta dashuria, ose afrimiteti, ose të na thonin prindërit: ‘Të lumtë dora’, përherë… Unë jam veriore, jam rritur në Shkodër. Ne veriorët mbahemi që: Hë se s`po ia them fjalën e mirë se i rritet mendja. Ose mbase prindi im ka qenë ashtu: S`ia them fjalën e mirë.
Mira Kazhani: Shkodranët e kanë shprehjen “Të hyptë vetja në qejf”. Të mallkojnë.
Belina Pupa: Mallkim me të hyp vetja në qejf. Po këta prindër sot janë duke rritur fëmijë të mrekullueshëm, por edhe shumë liberalë. Liri e tepërt. Gjithçka në ekstrem nuk është mirë. Liria e tepërt nuk është mirë. Qortimi i tepërt nuk është mirë. Uroj që të gjejnë një të mesme të artë.
Mira Kazhani: E mesmja e artë është më e mira e kësaj bote.
Belina Pupa: Shoh ndonjëherë që është fëmija 10 vjeç edhe e merr prindin përpara. Kam disa shoqe që u them: Pashë Zotin a vetëm ju keni bërë fëmijë? Po ne të tjerët?
Mira Kazhani: Kurioze jam sesi do të bëhen prindër këta fëmijët e sotëm.
Belina Pupa: Edhe unë jam shumë kurioze.
Mira Kazhani: Mbetet për t`u parë. Mbase do të jetë gjë e mirë. Unë besoj tek masa e gjërave. Masa është shumë e mirë. Si për mirë, si për keq, është shumë i bukur ai ekuilibri.
Belina Pupa: Visin e kam takuar komplet rastësisht në një moment që as e kam menduar. Hera e parë që vija në Shqipëri mbas 10 viteve në Amerikë. Isha në Velipojë.
Belina Pupa: 24. 25 jemi fejuar me Visin. 24 kam qenë kur jemi takuar për herë të parë. Kemi kaluar një ditë të gjithën bashkë. Hëngrëm drekë. Kemi shkuar në darkë në një club, pastaj nuk kishte as numër telefoni, asgjë.
Mira Kazhani: U puthët atë ditë?
Belina Pupa: Jo, fare. Thjesht e shikoja që po më jepte shumë muhabet, po thoja: Ok, qenka shumë djali i mirë dhe unë po i jap muhabet. Se ne të huajt kështu vdesim të flasim. Se dimë ku jemi në mes. Jemi të huaj, jemi shqiptarë a çfarë jemi. (qesh)
Mira Kazhani: E dije që ishte Vis Pupa i “Portokallisë” apo jo?!
Belina Pupa: Po, e dija se e kisha parë. E kisha shumë qejf. E thashë, mbesa ime ka mësuar shqip me Visin, me rolin e Avdiut. Unë ika në Amerikë. Ai ishte në Shqipëri.
Mira Kazhani: Si e gjeti numrin e telefonit?
Belina Pupa: Në atë kohë sa kishte filluar Facebook. S`ka qenë Instagrami. Më kishte dërguar një mesazh: “Jam Visi. Të lutem ma jep numrin e telefonit, sepse jam në Neë York edhe të bëjmë pak thashetheme”. Edhe Visi tip thashethemesh…! (qesh) Visi vetëm për thashetheme nuk është. Po kishte hallin të merrte numrin. Ia dërgova numrin direkt. Nuk e lashë të priste. Ndërsa ai më la mua të prisja katër orë gjoja duke bërë si i rëndësishëm që s`po e marr direkt në telefon. Dhe kaq ishte, fillimi dhe mbarimi ynë. Filluam duke folur.
Mira Kazhani: U takuat në New York?
Belina Pupa: Jo nuk u takuam atëherë. Thjesht shkëmbyem numrat. Ai u kthye në Shqipëri.
Mira Kazhani: Po pse nuk u takuat? Nuk ishe në Neë York?
Belina Pupa: Isha në Detroit. Ishte kohë Christmas. Ai ishte me koncerte. Më ftoi të shkoja në Neë York dhe e ftova dhe unë të vinte në Detroit, por bëmë kështu sikur: Jo, se do takohemi ndonjëherë tjetër.
Mira Kazhani: Cicmicet e fillimit. Po janë të bukura këto. Është fazë e bukur.
Belina Pupa: Një gjë që unë i kam kërkuar Visit dhe ai mua dhe mendoj se lidhja jonë është forcuar dhe ka vazhduar në këtë lloj faze, sot jemi 14 vjet më vonë, është se ne gjithmonë kemi kërkuar transparencë. Deri më sot që flas marrëdhënia jonë vazhdon ashtu sepse neve kemi qejf që secili, çfarëdolloj gjëje të jetë, sado i madh gabimi, e keqja, e mira, të tregojmë të vërtetën për jetën tonë me njëri-tjetrin. Kur ti s`ke sekrete në çift mendoj se është diçka shumë e shenjtë që një marrëdhënie të vazhdojë gjatë. Se martesa nuk është thjesht se ke një burrë dhe ti je gruaja. Unë e mendoj martesën si partnership, që ti dhe partneri yt jeni dy shokë. Jeni dy individë që thjesht e keni jetën bashkë. “You share your life together”.
Mira Kazhani: Jo të gjithë ia dalin të jenë shokë me ata që duan dhe dashurojnë.
Belina Pupa: Sepse nuk arrijnë të lëshojnë frikërat e veta, që t`i besojnë njëri-tjetrit dhe mos t`ia përdorin në keqësi fjalët apo dobësitë. A je i zoti që dobësitë partnerit t`ia bësh të vogla?
Mira Kazhani: Shumë e vërtetë!
Belina Pupa: Jo ta mundosh të thuash: Se ti kështu ke bërë. Ne kemi këtë që e përmendim. Ne kemi një ligj. Nëse e kemi diskutuar një gjë, i kemi vënë kapak. Nuk hapet më ai diskutim.
Mira Kazhani: Është një personazh në Amerikë shumë i famshëm duhet ta njohësh, bën dhe podcaste. Nuk është partner i mirë ai që të thotë fjalë të bukura apo ai që ti po bën vetëm pushime, apo po martohet me ty. Partner i mirë është ai që të bën ty të duash veten më së pari.
Belina Pupa: Edhe Visin prandaj vazhdoj ta dua dhe ta vlerësoj dhe të flas me të. Jo thjesht sepse është partneri dhe burri im, por e kam tamam shok. Qëkur jam lidhur me Visin dhe deri më sot, gjithmonë më ka lënë të jem e lirë. E lirë në kuptimin që të rritem në profesion, t`i bëj gjërat vetë, sa më e lirë.
Mira Kazhani: Sa djalë i mirë dhe artist Visi. Fati yt. E ke merituar!
Belina Pupa: Faleminderit! Mendoj se çdo grua e meriton një mashkull si Visi. Thjesht është çështje fati.
Mira Kazhani: Kur të takova më the: Kur takova Visin mësova dhe të bëj qejf në jetë.
Belina Pupa: Po, sepse edhe jeta e tij si artist, udhëtime të shumta, koncerte… Më ka hapur sytë për një realitet tjetër që ndoshta bota ime ka qenë shtëpi-shkollë-punë.
Mira Kazhani: Pak më robotike, siç është Amerika në fakt.
Belina Pupa: Po, është shumë e vërtetë. Po fakti që unë edhe kam ardhur kam jetuar mbas disa viteve këtu në Tiranë.
Mira Kazhani: Jetove 2 vjet më duket.
Belina Pupa: Dy vjet e gjysmë, gati 3 me sa mbaj mend. Visi më tha atëherë kur erdhëm në Tiranë: Ti do t`i bësh gjërat vetë. Me makinë vetë. Kur fillova punë këtu në Tiranë, që isha pedagoge tek Universiteti i Drejtësisë, duhet të shkosh vetë, të njihesh vetë me njerëzit, më tha. Kjo mua më ka bërë ta kuptoj më shumë mentalitetin shqiptar. Kur më pyesin “Si ishte eksperienca jote në Tiranë?” U them: Të më japësh 2 milionë dollarë dhe të më thuash, ja ku i ke lekë apo i do eksperiencë, dua eksperiencën. Më ka bërë të kuptoj mentalitetin shqiptar.
Mira Kazhani: Çfarë kuptove?
Belina Pupa: Më pëlqen fakti që në kulturën tonë, ana sociale e jona, mjedisi ynë social ndoshta na e vështirëson jetën shumë. Disa njerëz mund ta kenë të vështirë, por ajo që dashuroj në vendin tonë – nuk dua të fokusohem tek gjërat që nuk shkojnë – por ajo që kam qejf është se s`ka rëndësi sa i vështirë është mjedisi, ka njerëz që lulëzojnë gjithmonë. Ka njerëz që nuk e humbin karakterin e vet, pavarësisht se nuk e kanë anën financiare apo ekonomike. Ka njerëz që janë të drejtë pavarësisht se luftojnë çdo ditë me fatin e vet, luftojnë çdo ditë me punën e vet, luftojnë çdo ditë dhe nuk e humbin identitetin. Unë këtë duartrokas në Shqipëri.
Mira Kazhani: Po më thua që askush nuk ka pse ta mbulojë veten pas mjedisit dhe nuk është produkt vetëm rrethanash. Pra njerëzit kanë në dorë të mos jenë vetëm produkt rrethanash. Mund ta çajnë realitetin në të cilin jetojnë dhe ta ruajnë veten.
Belina Pupa: Në momentin që ti zgjohesh në mëngjes, vendos me veten tënde a do të jesh një njeri pozitiv atë ditë? A do të kesh një ditë të mirë? A do të jesh negative? A do të jesh e dhunshme? A do të jesh e dashur? E vendosim ne në mëngjes kur zgjohemi.
Mira Kazhani: Pra s`të bën shoqëria! S`të bën jeta!
Belina Pupa: Unë mendoj që ti bën zgjedhjet e tua.
Mira Kazhani: Ke ndonjë tundim për të ardhur për të jetuar këtu prapë? Apo do ta bësh kështu mes Australisë dhe Shqipërisë? Më duket se keni një plan për të jetuar midis.
Belina Pupa: Shqipërinë s`kam qejf kurrë ta humb, sepse është vendi ynë. Tre vitet që kam jetuar këtu nuk është se kam bërë ndonjë… eksperienca më e bukur ka qenë fakti që kam dhënë veten time tek vendi im. Si pedagoge nuk është se kam pasur ndonjë rrogë që të mbante jetesën. Po e kam bërë atë punë për të dhënë veten time si qytetare e këtij vendi për të dhënë atë që unë di. “To give myself”.
Mira Kazhani: Të japësh shembullin tënd, frymën tënde…
Belina Pupa: Edhe studentëve të mi në klasë u thosha: Unë nuk jam këtu t`ju bëj juve lëndën. Unë dua t`ju bëj shtetas bote.
Mira Kazhani: Të donin shumë ata? Të shkruajnë?
Belina Pupa: Akoma më shkruajnë. Kam disa studentë që akoma më shkruajnë. Kështu që unë besoj. Besimin s`e humbas kurrë.
Mira Kazhani: Beson shumë në Zot?
Belina Pupa: Them se besoj shumë. Kur kam qenë e vogël jam rritur direkt mbas kishës së madhe në Shkodër. Shtëpia e gjyshes është ngjitur me kishën.
Mira Kazhani: Komshije me kishën. Interesante!
Belina Pupa: Po nuk besoj se të bën feja. Besimi është më i madh se feja. Mund të jesh Katolik, mund të jesh Mysliman, mund të jesh Budist, mund të jesh çfarëdo. Nuk ka rëndësi. Ka rëndësi të kesh besim të energjia jote, tek mirësia jote. Të kesh besim tek ajo që ti kërkon çdo ditë. Nëqoftëse i ke vënë një qëllim vetes të vësh gjithë energjinë si mund ta arrish qëllimin tënd. Ky është besimi im për t`u rritur, për t`u përmirësuar.
Mira Kazhani: Ky është Zoti yt!
Belina Pupa: Ky është Zoti im! Pavarësisht se mund të mbajmë një kryq… besimi është shumë më i thellë.
Mira Kazhani: Ku e kuptove këtë ti, që është i tillë besimi?
Belina Pupa: Eksperiencat e jetës. Njerëzit që takojmë o na e rrisin, o na e humbin besimin. Prandaj duhet të fokusohesh tek karakteri dhe kapaciteti si individ. Sa e ke kapacitetin të kalosh drejt vështirësive dhe të mbash prapë identitetin tënd.
Mira Kazhani: Unë dua të ta bëj një pyetje. Është pak pyetje edhe e shoqërisë tonë. Edhe shpresoj që të mos e teproj. Ke të drejtë ta ‘skip’-ësh, siç thoni ju në Amerikë. Po 14 vite shumë të dashuruar, dukeni kaq të lidhur, një fëmijë a ka qenë në planet tuaja?
Belina Pupa: Po, patjetër. Ka qenë një periudhë kohe… Faktikisht fëmija u bë plan kur erdhëm këtu në Shqipëri. Jo se nuk e kishim…
Mira Kazhani: Po se pyesin këtu të gjithë
Belina Pupa: Na e futën në mend njerëzit më shumë. “Ah sa të mirë jeni. Po bëheni një fëmijë. Bëjeni aman”. Këtej në telefon nëna: “Po si ka mundësi? Çfarë keni? Pse s`e bëni një fëmijë?” Të gjithë me radhë. Ishte e vetmja gjë që na shihnin në çift, që mungonte. Nuk ishim plotësuar. Edhe është e vërtetë. Fëmija është bekim. Lum ai që i ka. Po neve nuk na erdhi. Ne jemi shumë të shëndetshëm. Nuk kemi asnjë problem, me çfarë na thonë doktorët, thjesht s`ka ndodh. Mund të vijë nesër. Mund të vijë pasnesër. Po unë besoj tek një linjë e jetës time që rrugën time e bëj unë. Është vetëm e imja. Ti ke rrugën tënde. Një nënë tjetër ndoshta bëhet nënë 15 vjeçe. Një nënë bëhet 40 vjeçe. Nuk duhet t`i fusim të gjithë në një filtër. Tani martohesh. Nesër duhet të bësh një fëmijë. Pasnesër do bësh një gocë e të tjera me radhë. Besoj se jam këtu për të bërë rrugëtimin tim.
Fëmija është bekim, thonë. Uroj ata që i kanë. Uroj që nëse ne do kemi, arsyeja e vetme që dua të kem një fëmijë është të di çfarë mundem të krijoj unë me Visin. Dua të di çfarë krijimi mund të bëjmë ne.
Mira Kazhani: Jua uroj megjithë zemër!
Belina Pupa: Nuk e di, po nuk ndihem për momentin se më mungon diçka