EKSKLUZIVE/ Dy brazilianë nga Superiorja për Dinamon, sulmuesi i Erzenit dhe ai i Vllaznisë fokusohen nga blutë
EKSKLUZIVE/ Dy brazilianë nga Superiorja për Dinamon, sulmuesi i Erzenit dhe ai i Vllaznisë fokusohen nga blutë
5 June, 2023
5 June, 2023
Pas një periudhe kërkimesh dhe për caktimit të objektivave të merkatos në letër, nga kjo javë Dinamo pritet të bëjë lëvizje konkrete. Trajneri Dritan Mehmeti kërkon përforcime në çdo repart dhe parimi i tij është për të afruar në skuadër lojtarët që e njohin kampionatin shqiptar, kuptohet për aq sa do të jetë e mundur. Stafi teknik i bluve dhe drejtuesit e klubit e dinë mirë se çfarë kërkon Superiorja, ndaj dhe nuk duan të rrezikojnë.
Gazeta ka bërë të ditur emrat që janë në listën e dëshirave të Dinamos, si Frashëri, Trashi, Rustem Hoxha, Behiratçe dhe Aleksi apo Telushi. Tani mësohen edhe emrat e dy sulmuesve që pëlqehen në kampin blu dhe janë që të dy brazilianë.
NONATO- Një nga sulmuesit që josh drejtuesit e klubit kryeqytetas është Patrik Nonato, aktualisht pjesë e Erzenit. Futbollisti 25-vjeçar ka bërë një paraqitje të mirë sezonin e parë në Superiore, duke shënuar 12 gola, ndaj dhe drejtuesit e Dinamos e shohin si një pistë të besueshme.
Për momentin, gjithçka është në kuadrin e një dëshire dhe mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë në vazhdim, varet shumë edhe nga kontrata që braziliani ka me Erzenin.
Nonato konsiderohet si një ndër alternativat më të mira që ofron tregu i Superiores aktualisht, përveç Duamenës së Egnatias, që për blutë është shumë i vështirë të arrihet, për të mos thënë i pamundur.
KAINA NUNJESH- Braziliani tjetër që pëlqehet nga stafi blu, sipas burimeve të gazetës, është Kaina Nunjesh i Vllaznisë. Edhe ky lojtar, pjesë e shkodranëve sezonin e fundit, e njeh shumë mirë futbollin shqiptar.
Ka luajtur për Besën në fillim, pastaj kaloi te Vllaznia, që e huazoi për disa muaj te Kastrioti, ku Kaina ra më shumë në sy. Ai është një natyrë tjetër sulmuesi në krahasim me Nonaton, është më i fortë fizikisht dhe i shërben më shumë skuadrës.
Te Vllaznia 26- vjeçari nuk ka pasur shumë hapësira dhe Dinamo kërkon të përfitojë nga ky fakt për ta afruar në skuadër dhe për ta pasur, pse jo, pikë referimi. Edhe në këtë rast kemi të bëjmë ende me një dëshirë.
PISTAT- Pjesa e sulmit është edhe më e vështira në merkato. Në kampin blu po shihen të gjitha mundësitë dhe ka gjasa që të kemi ndonjë prurje nga jashtë Shqipërisë, ndoshta ndonjë huazim nga Italia, por kuptohet që kjo është zgjedhja e fundit.
Lojtarët që vijnë për herë të parë në Shqipëri janë gjithmonë baste të rrezikshme, sepse në mes është çështja e përshtatjes. Duhet të kesh edhe fat për të marrë një lojtar me kualitet nga jashtë për sulmin dhe ai të ingranohet shpejt me skuadrën.
FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL