Mon, Nov 25, 2024

Filmi “Gjeneral Gramafoni” dhe restaurimi i së shkuarës, Ardian Vehbiu: Si zëvendësim komod i së vërtetës historike

  • PublishedJune 5, 2023

Departamenti i Historisë Bashkëkohore të Akademisë Albanologjike dhe revista “Peizazhe të fjalës” mbajtën këtë të hënë leksionin “Imazhe të projektuara” nga shkrimtari e eseisti Ardian Vehbiu. Qendra e bisedës ishte filmi “Gjeneral Gramafoni” e përmes tij, trashëgimia kinematografike e realizmit socialist.

“Kur u shfaq filmi i restauruar u fol fort për vlerat e ripërtërira të veprës, duke e quajtur film kult, film shumë të dashur për shqiptarët, film ikonë e film legjendar. Një film si ‘Gjeneral Gramafoni’ ku rrëfehen ngjarje të ambientuara në Shqipërinë e viteve 1930, duhet të konsumohet sot si një film historik për atë periudhë historike specifike. Spektatorit të këtij filmi mund t’i shpëtojë data se kur është krijuar filmi, e për Gjeneral Gramafonin është viti 1978”, tha Vehbiu.

Koha kur filmi u krijua e shënjon vetë prodhimin, ndaj koha kur rishfaqet i restauruar në mënyrë të vetëdijshme apo jo, në një perceptim të gjerë, lexohet si restaurim dhe rehabilitim i periudhës po aq sa i filmit. Në një bisedë me studiuesin Edon Qesari, Vehbiu ndalet te filmi si rindërtim i historisë.

“Vetë filmi i mbështetur në këtë rrëfime historiografike do të shërbente jo vetëm si ilustrim i asaj periudhe, por edhe si zëvendësim komod i të vërtetës historike në sytë e publikut, sikurse edhe si sanksionim i një të vërtetë historike në kuptimin që tash e tutje, shumë njerëz do ta përfytyronin kohën e Zogut nëpërmjet imazheve të ofruara nga ‘Gjeneral Gramafoni’. Filma si “Gjeneral Gramafoni janë në thelb produkte të kinematografisë totalitare”, vërejti Vehbiu.

Debati për filmat e artin e trashëguar nga realizmi socialist, ndër vite, ka hasur qëndresë nga institucione si Arkivi i Filmit dhe vetë artistët që e kanë lëvruar.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.