Mori 330 mijë lekë të reja për të favorizuar një kompani, GJKKO lë në burg sekretaren e përgjithshme të MSH dhe zyrtaren tjetër
GJKKO cakton ‘arrest në burg’ për Joana Duron dhe Laura Shteton, dy zyrtaret e akuzuara për korrupsion.
Joana Duro, sekretare e përgjithshme e Ministrisë së Shëndetësisë akuzohet se mori 330 mijë lekë të reja për të favorizuar kompaninë “DRICONS” në një tender të hapur nga Ministria për supervizimin për rikonstruksionin e qendrave shëndetësore në Tiranë dhe Durrës.
Në agjencinë e prokurimit publik shihet se përkundër vlerës prej 805.872.23 lekë të vendosur si fond limit nga ministria për tenderin, kompania fituese ka ofruar 672.457.60 lekë. Shuma prej 330 mijë lekësh u gjet në zyrën e Joana Duros.
Duro doli ditën e sotme para Gjykatës së Posaçme, ku u njoh me masën e sigurisë “arrest me burg”. Edhe specialistja e Nivelit të Lartë në Agjencinë e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara, Luara Shteto është lënë në burg.
Dy zyrtaret akuzohen për veprat penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”. Hetimet e SPAK për korrupsionin me tenderin e Ministrinë e Shëndetësisë kanë çuar edhe në ndalimin e administratorit të kompanisë, ‘DRICONS’, Vladimir Topi dhe inxhinierin Silvi Shehi.
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
–