Sat, Nov 23, 2024

“Të qash apo të shash, kjo të bën deputet”, Braçe s’i kursen kritikat për qeverinë: Çmimet ende të larta, të bëjmë ekonominë që të funksionojë, alarmi që vjen nga Myzeqeja

  • PublishedJune 5, 2023

Deputeti socialist, Erion Braçe me tone të ashpra nga foltorja e Kuvendit solli disa shqetësime me të cilat hasen sot qytetarët dhe fermerët shqiptarë. Braçe iu kthye opozitës në lidhje me reagimit në sallë për arrestimin e dy zyrtareve të MSH-së, Braçe tha se tashmë ka ardhur koha kur zyrtarët arrestohen për shkelje dhe jo si dikur kur drejtonte PD.

Mes të tjerash ai tha se ndonëse në tregjet botërore ulen çmimet, në tregjet shqiptare nuk reflektohet kjo ulje. Po ashtu ai solli një shqetësim nga zona e Myzeqesë, ndërsa nuk i kurseu kritikat për ministrinë e Bujqësisë, sa i takon problemit me karkalecat në këtë zonë që hanë të mbjellat.

“Në këtë sallë, hëm të qash, hëm të shash, të bën deputet. Më në fund në këtë sallë po flitet për vendime
gjykatash dhe të korruptuar, që patjetër janë mes nesh, por që arrestohen. Me thënë të drejtën nga 2005 deri ne 2013 nuk gjen një ministër të arrestuar. Një zv-ministër të arrestuar me përjashtimin të një demokristiani dhe një drejtor të arrestuar me përjashtimin një të LSI.

Sikur në atë kohë nuk vidhte askush. Për luftë të brendshme funksionokan, por për të bërë drejtësi jo. Meqë dëgjova pak më herët një kolege këtu për fabrikat e çimentos, por a e dini se atyre fabrikave të çimentos i kishte arritur lart korrupsioni. Atyre licencat i janë dhënë me ligj parlamenti. Çdo gurore në Krujë është mbyllur me ligj, por ato që janë me ligj parlamenti të bëra këtu 1 vit para se të iknin nga pushteti, janë bërë me këtë ligj.

Ti Dashi the do përgjigjemi të gjithë para Zotit. Ju kërkoj ndjesë që ju mora kaq shumë kohë me gjera të parëndësishme. Çmimet e ushqimeve rreth e qark nesh, kanë rënë me 22.1%. Çmimet e drithërave ranë me 4% në raport me muajin prill. Keni verifikuar që çmimi i vajit ka rënë apo i produkteve të tjera? Jo! Atëherë unë mendoj se më e rëndësishme se sa të shahemi dhe të tregojmë me gisht gjithësecilin, është që të bëjmë ekonominë që të funksionojë. Sa kohë që çmimet të bëjnë, ato duhet të reflektohen te qytetarët. E dyta që kam si shqetësim është me një fakt të rëndësishëm që ka të bëjë me infektimin e tokave bujqësore në Myzeqe. Edhe këtë vit nuk po e lejojnë bujqit që të merren me një ciklet tjetër për shkak të karkalecit të tokës. E mbjell sot bimën, e ha karkaleci nesër. Kaq e rëndë është gjendja. Fola në Kuvend që në muajin shkurt që ministria përgjegjëse të merrte masa dhe sot e konfirmova se sa i parëndësishëm është roli i deputetit. Sa kohë që askush nuk të dëgjon. Kur ti ngre një problem, merren me ty dhe jo me hallin e njerëzve. Tani ka një shprehje nga një film se çfarë duhet t’i bëhet bahçes në këtë moment, por ka ende kohë për këtë.”, tha Braçe.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.