Arrestimi i Dakos/ “Personazh famëkeq i korrupsionit dhe lidhjes me krimin”, Basha: Shpresoj të mos jetë si rasti i Tahirit
Lulzim Basha ka zhvilluar ditën e sotme një takim me të rinjtë e Partisë Demokratike në Elbasan, nga ku ka komentuar edhe arrestimin e ish-kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako, ditën e djeshme.
Basha deklaroi se Dako u arrestua për një pallat, por u shpreh se shpreson që ky rast të mos jetë i njëjtë si ai me ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri që doli nga burgu vetëm për “Shpërdorim detyre”.
Ai shtoi se shpreson shumë që të jetë fillimi i një hetimi të një personazhi famëkeq, i korrupsionit dhe lidhjet me krimin, teksa e cilësoi Dakon si “simbol të blerjes së votës”.
“Në fakt është një debat që e has vetëm kur takohem më të rinjtë, por që nuk kryhet në aulat e medias tonë. Sepse media ka halle të tjera. Politika ka halle të tjera, që nuk janë hallet tuaja por janë hallet e tyre. Në fakt disa prej tyre janë bërë për hall. Të gjithë e dimë, tani po bën ciklin e lajmeve prej kaq kohe, arrestimi i një figure të njohur të politikës, një “non grate”, Vangjush Dakos.
Në fakt është arrestuar me urdhër të SPAK-ut, për një pallat. Por shpresoj të mos jetë vetëm kaq, të mos jetë njësoj si me Saimir Tahirin që doli nga burgu sepse ishte dënuar vetëm për “Shpërdorim detyre”, ndërkohë që SPAK-u vazhdon proceset juridike, në Gjykatën e Lartë, anëtarësinë në një organizate kriminale. Të gjithë e dini e mbani mend, e mbushi Shqipërinë më drogë.
Por edhe rasti i Vangjush Dakos nuk është i panjohur, për personin që ka përvojën më të vogël politike për shkak të moshës, është njeriu që u bë i famshëm për përgjimet e “339”-ës sesi shiteshin dhe bliheshin vota në bashkëpunim me krimin e organizuar apo afera të tjera.
Shpresoj shumë që të jetë fillimi i një hetimi të një personazhi famëkeq, i korrupsionit dhe lidhjet me krimin. Të një simboli të blerjes së votës, si e keqja më e madhe që ka shkatërruar besimin e qytetarëve tek vota dhe në veçanti të rinisë tek demokracia, tek zgjedhjet.
A do të jetë apo jo? Kjo mbetet për tu parë”, u shpreh Basha.
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
–