“Grupet e të fortëve të Bashës krijuan tension në mbledhjen e Kryesisë”. deputeti i PD: Na u hodhën në fyt! Na akuzonin se po e çonim partinë te Berisha
Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula, është shprehur se grupet e të fortëve të ish-kryedemokratit Lulzim Basha shkaktuan tension në mbledhjen e Kryesisë së PD-së.
Komentet Sula i bëri gjatë një interviste në Panorama TV, ku tha se mbështetësit e Bashës akuzonin palën tjetër se po e çonin partinë te Berisha.
Ai tha se Basha ka bërë sikur ka ikur nga drejtimi i PD-së, por sipas tij, ai ka qëndruar gjithmonë aty.
“Unë i shoh gjërat në realitet dhe çdo gjë mori fund mbrëmë. Grupet e të fortëve të Bashës, krijuan tension kur po zhvillohej mbledhja e PD-së. Na akuzonin neve që po e merrnim partinë e po e çonim te Sali Berisha. Diskutohej që të bëhej një certifikim i të gjithë anëtarësisë dhe më pas të bëhej votimi.
Unë nuk them që të përjashtohet Basha nga gara, por do të ishte shumë e ndershme që të votohej me ndershmëri. Këtu nuk bëhet fjalë për Berishën dhe Flamur Nokën, por për anëtarët e thjeshtë të PD-së që do të bënin zgjedhjen e kryetarit të ri. Na u hodhën në fyt në këtë moment duke na thënë që po e çoni partinë te Berisha dhe Rithemelimi.
Unë gjej rastin të falënderoj të gjithë ata deputetë që u ngritën në lartësinë e përgjegjësisë dhe të moralit të tyre. Shpreh keqardhjen për disa deputetë që u shndërruan në patericë për disa interesa të vogla dhe meskine. Nga pala tjetër, nuk bëhet fjalë për fitoren e PD-së, por për mbijetesë të Bashës në PD. Në bashkëpunim me vendimet e gjithë kolegëve të tjerë, do të mblidhemi dhe do të marrim një vendim nëse do të distancohemi apo jo nga kjo forcë politike.
Basha ishte personi që kishte bërë gjoja një hap pas, por nuk kishte ikur asnjëherë. Unë i thash që ju po bëni të njëjtën gjë për të cilën akuzon Berishën”, u shpreh Sula.
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
–