Sun, Nov 24, 2024

I dëmtuar rëndë nga tërmeti/ Instituti i Ndërtimit vendosi shembjen, por rrezikon objektet e tjera, ky është pallati që çoi pas hekurave Vangjush Dakon dhe të tjerë

  • PublishedJune 7, 2023

Një pallat 11-katësh në lagjen 5 në Durrës që mban numrin 25 është bërë shkak për nisjen e hetimeve dhe vënien në pranga të ish-kryebashkiakut të Durrësit dhe zyrtarëve të tjerë.

Gazetarja Klodjana Haxhiaj raportoi për “BalkanWeb” se në këtë pallat banojnë 30 familje, të cilat kanë bërë dhe një kallëzim në SPAK për pronarin e firmës ndërtuese.

“Leja për këtë pallat ka qenë për 8 kate, në përfundim janë dorëzuar dhe 3 kate ekstra.
Banorët thanë se për shkak të shkeljes së lejes së ndërtimit ata kallëzuan në SPAK pronarin e ndërtimit. Instituti i ndërtimit ka marrë një vendim për shembjen e këtij pallati, por nuk është shembur pasi është afër me objekte të tjera.
Ky pallat 11-katësh është një prej ndërtesave të dëmtuara shumë rëndë nga tërmeti i 2019. Ndërkohë që në të njëjtën zonë janë dhe 6 pallate të tjera të dëmtuara. Deri tani nuk janë prishur këto pallate pasi janë pranë objekteve të tjera që rrezikojnë.
Pas protestave të shumta, banorët thanë se nuk është marrë një vendim për strehimin e tyre. Banorët e këtij pallati dhe 6 të tjerëve jetojnë ende me qira.
Shembja është e rrezikshme për banesat pranë dhe banorëve iu është thënë se do të strehohen në zonën e Spitallës ku janë ndërtuar dhe pallatet për banorët e prekur nga tërmeti.
Këta banorë e dërguan çështjen në prokurorinë e Durrësit fillimisht, më pas në SPAK dhe iu drejtuan për dijeni dhe kryeministrit dhe ambasadave për problemin e tyre”, raportoi gazetarja Klodjana Haxhiaj.

Pronari i firmës, i denoncuar nga banorët është arrestuar një ditë më parë bashkë me zyrtarë dhe ish-zyrtarë.
Dje SPAK ka firmosur dhe ka marrë miratimin në GJKKO për arrestimin e ish-kryebashkiakut Vangjush Dako dhe 6 zyrtarëve të tjerë. Për 3 është vendosur arrest shtëpie.

SPAK ka urdhëruar dhe kontrollin e banesave për personat e dyshuar, teksa po vijon hetimet për Dakon për episode të tjera nga të cilat mund të gjenden prova e fakte për implikim në veprimtari të tjera kriminale.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.