Sun, Nov 24, 2024

Ligji i ri për strehimin social! Mosha, kriteret dhe kategoritë që përfitojnë kredi të butë. Kush ka prioritet

  • PublishedJune 7, 2023

Ligji i ri për strehimin social mori miratimin në komisione parlamentare. Në ndryshimet e propozuara kuvendit, ndër më të rëndësishmit është përfshirja e punonjësve të administratës publike në strehimin e përballueshëm.

Rreth 130 mijë punonjës të administratës kanë mundësi të aplikojnë në programet sociale në bashkitë respektive. Gjithashtu punonjësit publikë do të kenë mundësinë të marrin edhe kredi me normë fikse 3%, ndërsa pjesa tjetër e interesit do të subvencionohet nga buxheti i shtetit. Çdo institucion shtetëror do të shqyrtojë kërkesat e kredive për strehim të punonjësve të tyre, ndërsa kuotat e kredive të reja do të miratohen çdo vit me vendim të Këshillit të Ministrave.

Kredia konvertohet drejtpërdrejt në kredi tregtare në rastet kur punonjësi i administratës jep dorëheqjen pa kaluar pesë vite pas miratimit të kredisë ose shkarkohet me shkelje. Ndërkohë me kredi me 0% interes do trajtohen familjet e policëve të rënë në detyrë. Gjithashtu në ligjin e ri, termi, çift i ri është zëvendësuar me familje e re. Por, anëtari i familjes së re, që do bëjë kërkesë të hyjë në programin e strehimit nuk mund të jetë mbi 38 vjeç. Ndryshime ka edhe për termin të ardhura familjare, ku sipas ligjit do të përfshihen ato që sigurohen nga pagat, veprimtaria ekonomike, interesat e depozitave bankare, të ardhura nga persona të tretë, qiratë nga prona të paluajtshme. Për kërkesat e strehimit social në çdo bashki tashmë aplikimet do të kalojnë në “eAlbania”, ku digjitalizimi është një tjetër pikë kryesore e ligjit të ri. Ndërkohë, ligji mban në fuqi taksën 3% për ndërtuesit që marrin leje ndërtimi mbi 2000 metra katrorë. Nëse nuk mund të jepen si sipërfaqe fizike, ligji parashikon kompensimin në vlerë, që depozitohet në fondin social të strehimit.

Bashkitë në hartimin e programeve të strehimit jo më pak se 5% do duhet t’i plotësojnë me familje të minoriteteve rome dhe egjiptiane. Ligji tashmë pritet të kalojë në parlament, ndërsa priten edhe disa VKM që do përcaktojnë kriteret e përfitueshmërisë për punonjësit e administratës publike.

KREDITË

Familjet e reja që kanë nevojë për strehim dhe përmbushin disa kritere, do të përfitojnë kredi të butë për të blerë një banesë. Ndryshimet që po i bëhen ligjit të “Strehimit Social” kanë ndryshuar edhe konceptimin se kush quhet një familje e re. Vitet e fundit, për shkak edhe të situatës ekonomike, ka një shtyrje në moshë të të rinjve që duan të krijojnë familje. “Duke parë edhe këtë situatë ku është spostuar mosha e krijimit të familjes, ne kemi menduar që deri në 38 maksimumi 40 vjeç duhet të jetë mosha ku qytetari ka të drejtë të aplikojë, për të përfituar kredi të butë për të blerë një banesë. Kriteri moshë është një risi që e kemi bërë pjesë të ndryshimeve të ligjit në konceptin e familjes, pjesë e këtij koncepti përfshihen edhe fëmijët. Ndërkohë norma e interesit që do të paguajë qytetari është 3%, ndërsa për një familje në Tiranë do të nevojiten të ardhura 90.000 lekë, për të qenë subjekt përfitues i kredisë së butë”, sqaroi në emisionin “E-ZONE”, Doris Andoni, drejtore e Strehimit në Ministrinë e Financave.

Pjesë e përfituesve janë dhe familjet e mjekëve që kanë ndërruar jetë nga Covid-19. Në strategjinë e strehimit 2016- 2025, kur u hartua ky dokument, numëroheshin 32 mijë familje të pastreha, sot dy vite nga përfundimi i kësaj strategjie numërohen 22 mijë familje që kanë nevojë për banesë. Sipas Andonit, rritja e çmimeve të apartamenteve në treg ka ngadalësuar programin e strehimit social.

Programi i Subvencionimit të interesave të kredisë synon të mbështesë në blerjen e shtëpive të para, me qëllim përmirësimin e kushteve të tyre të jetesës, nëpërmjet kredive hipotekore me kushte lehtësuese, e cila jepet për strehim dhe një pjesë e interesave subvencionohen nga Bashkia Tiranë. Personat që duan të aplikojnë për kredi të butë pranë Entit Kombëtar të Banesave duhet fillimisht që të aplikojnë në portalin “e-Albania”. Kjo pasi në vend janë mbyllur të gjitha sportelet e shërbimeve. Pra të gjitha familjet që kanë nevojë për strehim dhe që nuk kanë mundësi për të blerë shtëpi, mund të aplikojnë për subvencion të interesave të kredisë në “e-Albania”. Më pas në sistemin e banesave sociale do të ngarkohet dokumenti përkatës për të kërkuar subvencion. Në vendimin e një viti më parë të Këshillit të Ministrave janë listuar të gjitha familjet që mund të përfitojnë nga kreditë e buta. Pas aplikimit familjet që përfitojnë subvencionimin e interesave të kredisë miratohet me vendim të këshillit bashkiakë.

DOKUMENTACIONI PËR STREHIMIN

a) Të dhëna personale të aplikantit:
I. certifikatë e lindjes së aplikantit, me përjashtim të rasteve specifike kur individi/familja nuk ka regjistrim në gjendjen
civile;
II. vërtetim për vendbanimin në njësinë e vetëqeverisjes vendore, ku kërkohet strehimi social, për familjet që kanë lëvizur nga zona të tjera të vendit.
b) Për vërtetimin e kushteve të strehimit, sipas shkronjës “a”, të nenit 16, të ligjit nr. 22/2018, “Për strehimin social”:
I. Vërtetim nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës për pronat që disponohen në emër të secilit anëtar të familjes ku vërtetohet se nuk kanë banesë, ose kanë një të tillë nën normat e strehimit;
II. vërtetim nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme për sipërfaqen e pronës, që zotëron familja apo ndonjë anëtar i saj, kur banesa është me sipërfaqe nën normat e strehimit në fuqi;
III. vërtetim nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme se nuk figuron e regjistruar asnjë pronë, e cila mund të përdoret edhe për strehim, për çdo anëtar të familjes, që kanë ndryshuar vendbanim për efekt punësimi;
IV. Akt-verifikim nga njësia vendore për:
– banesat në rrezik shembjeje;
– rastet kur familja ka mbetur e pastrehë, si rezultat i fatkeqësive natyrore;
– banesat që prishen ose përjashtohen nga procesi i legalizimit.
V. Vendim i gjykatës për familjet që humbasin banesën për shkak të zbatimit të vendimit të gjykatës;
VI. akt i verifikimit nga njësia vendore për familjet rome/ egjiptiane, që banojnë në banesa individuale ose struktura, të cilat nuk klasifikohen si banesë./Panorama

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.