Dede prezantohet te Elbasani: Ngjitemi, por dua një stadium me 10 mijë tifozë. Nuk jam çmendur t’i kërkoj klubit…
Dede prezantohet te Elbasani: Ngjitemi, por dua një stadium me 10 mijë tifozë. Nuk jam çmendur t’i kërkoj klubit…
8 June, 2023
8 June, 2023
Nevil Dede ka ardhur me mision të qartë në Elbasan. Nuk mjaftohet vetëm me ngjitjen në elitë, por kërkon shumë më shumë. I ka vënë synim vetes që të rikthejë tifozët në shkallët e stadiumit, ashtu si në 2006-ën e largët. Rikthehet plot nostalgji në këtë qytet, ku 18 vite më parë bëri historinë si kapiten dhe u dhuroi titullin kampion.
Gjatë prezantimit si trajneri më i ri i verdhebluve, ai e pranoi që e pret një punë e vështirë dhe plot stres. Por, nuk trembet aspak. Thekson se merkatoja do të jetë e fokusuar në Superiore, ndërsa kërkon pak kohë për të folur për të ardhmen e lojtarëve që mbyllën sezonin.
Riktheheni për të tretën herë në Elbasan, por këtë herë si trajner…
Kam një nostalgji të madhe për këtë qytet dhe për njerëzit që jetojnë këtu. Kur them këtë, kujtoj vitin 2004, kur erdha për herë të parë në Elbasan. Ato vite që kam luajtur këtu më kanë dhënë emocione dhe respekt. U mundova që t’ia kthej me maksimumin tim dhe mbi të gjitha me sukses. Besoj që ia dola, përderisa u shpallëm edhe kampionë në sezonin 2005-2006. Jam i nderuar për këtë ofertë, për mundësinë apo detyrën që kam marrë përsipër. Bashkëpunimi do të jetë i mbarë, pasi do të bëj maksimumin. Përpos gjithë atyre që thashë më parë, mund ta mbyll me një fjali të thjeshtë: jam rikthyer në shtëpinë time. Dhe përderisa jam në shtëpinë time, me ndershmërinë dhe përkushtimin që e kam treguar si sportist, edhe si trajner do ta kthejmë Elbasanin tonë aty ku ka qenë. Vetëm aty e meriton të jetë. Falënderimi është për të gjithë, por mbi të gjitha për qytetin dhe tifozët, më pas administratorin dhe njerëzit që do të financojnë. Shpresoj t’ia dalim, do të ecim para të gjithë bashkë. Do Zoti na ecën mbarë.
Pritshmëritë në këtë qytet janë të mëdha, ju vë nën presion edhe euforia e krijuar?
E rëndësishme është që ka entuziazëm dhe uri, gjë që është fakt dhe nuk mohohet. Futbolli është një garë dhe në të ka stres rezultati. E rëndësishme është që ne do të flasim të njëjtën gjuhë dhe kemi një qëllim të qartë, i cili është një i vetëm. Do të kemi sukses dhe për këtë jam i bindur. Suksesi i parë është të dalim në Superiore dhe duhet të dalim të parët në këtë kategori, që është për t’u vlerësuar se është e vështirë, ku ka konkurrencë shumë të fortë dhe pastaj ne do të pretendojmë dhe shpresojmë për gjëra më të mëdha. Por, pa kaluar shkallën e parë, nuk mund të kërkojmë të tjerat. Normal që tensioni apo stresi do të jenë, në sport kush nuk e përballon dot këtë nuk mund të shkojë në nivelet elitare.
Keni marrë garanci nga ana financiare në klub?
Symbyllur erdha këtu. Me mbështetjen e njerëzve që do ta financojnë dhe do ta çojnë në nivelet e tjera. Me mua apo pa mua, e rëndësishme është që hapin dhe shkallën e parë ta hipin me mua. Pastaj, çdo gjë zhvillohet dhe evoluon.
Si e prisni atmosferën në Elbasan?
Jo më larg se pesë minuta më herët, me administratorin po diskutonim për këtë gjë. E rëndësishme është që po e mbushëm edhe njëherë stadiumin plot, besoj se hapin e parë e kemi bërë dhe më pas do të shohim shkallët e tjera. Tani për momentin e mbush vetëm Kombëtarja dhe po e mbushëm edhe ne si Elbasan… besoj se jemi në rrugën e duhur dhe njerëzit do të rikthejnë kujtimet e bukura që kanë kaluar këtu.
Cilat do të jenë bazat për ngjitjen e Elbasanit në elitë?
Faktorët kryesorë që garantojnë suksesin janë disa. Dua t’ju them një fjali të thjeshtë “kush punon edhe gabon”. Patjetër që edhe ne do të gabojmë, e rëndësishme është që t’ia arrijmë një qëllimi. Sidomos në të tilla qëllime të mëdha që ne kemi, sepse besoj se fjala projekt do të shkruhet me të mëdha vitin që vjen. E rëndësishme është që fillimisht të kthehemi në Superiore. Ka një etje shumë të madhe që tifozët të kthehen dhe të mbushin këtë stadium, por këtu nuk luan çdo futbollist i nivelit shqiptar, sepse është një privilegj më vete. Minimalisht që të kemi 5 deri në 10 mijë veta në stadium, që është një nga sfidat e tjera që kemi, është një privilegj akoma edhe më i madh. Financat në sport apo realitetin ku jetojmë kanë rëndësi, jam i bindur që do t’ia dalim. Nuk e kam frikë, e gjithë jeta është sfidë, të gjithë kalojmë sfida, por në fund fiton ai që guxon. Unë këtu nuk kam ardhur me guxim, por me dëshirë dhe nostalgji për të bërë më mirë sesa atëherë kur isha kapiten i Elbasanit.
Ku do të jetë e fokusuar kryesisht merkatoja e Elbasanit?
E mira nuk ka fund. Ju po i lexoni lajmet që yjet më të mirë të botës po shkojnë në një shtet që nuk shquhet shumë për futboll. Ne do të mundohemi që t’i bindim njerëzit më të duhur, me karakter dhe personalitet sportiv, për të nderuar veten në radhë të parë dhe më pas mua si trajner apo qytetin. Do të mundohemi të godasim shumë në Superiore dhe më të mirët e Kategorisë së Parë. Ne do të kemi kriterin sportiv, por edhe atë financiar. Nuk jemi të çmendur që t’i kërkoj klubit shifra që nuk ekzistojnë në Shqipëri. Stadiumi dhe tifozët janë një avantazh shumë i madh që ne mund të bindim njerëz.
Sa i njihni lojtarët aktualë që e mbyllën me Elbasanin dhe sa prej tyre do të jenë pjesë e projektit tuaj?
Kjo është një pyetje që do të marrë përgjigje në një kohë tjetër. Tani flasim për gjërat bazike dhe primare. Skuadra është një kantier ndërtimi, sepse flasim për një nivel tjetër. Gjithashtu do të mundohemi të kemi gati një organikë edhe sezonin e ardhshëm. Me punën që do të bëjmë, besoj se suksesi do të vijë dhe qëllimi është që të vendosim baza për të ardhmen. Se sa do t’ia dalim, koha do ta tregojë. Në sport, kur do të ecësh gjatë, mbi të gjitha do durim. Ndaj, edhe e thashë më lart, që kur punon edhe gabon.
VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL