Sat, Nov 23, 2024

EKSKLUZIVE/ FIFA bën Malën milioner pa luajtur fare, zbulohet edhe kontrata me Vllazninë

  • PublishedJune 9, 2023


EKSKLUZIVE/ FIFA bën Malën milioner pa luajtur fare, zbulohet edhe kontrata me Vllazninë

8 June, 2023

8 June, 2023

Esat Mala bëhet milioner pa luajtur asnjë minutë në klubin e Superligës turke, Giresunspor. “Panorama Sport” ka zbuluar ekskluzivisht vendimin e Dhomës së Zgjidhjes së Mosmarrëveshjeve në FIFA, pas padisë që mesfushori i Vllaznisë kishte bërë ndaj turqve në vitin e kaluar, kur dhe iu bashkua shkodranëve.

Vendimi i formës së prerë është marrë më 23 shkurt 2023 dhe i ka dhënë të drejtë Malës për një shifër prej 215 mijë eurosh, që klubi turk duhet t’ia paguajë brenda 45 ditëve, pasi në të kundërt FIFA do t’i bllokojë transferimet. Por si është historia e Malës?

Në vendimin e zbardhur theksohet se mesfushori nga Prizreni firmosi një kontratë 2-vjeçare me Giresunsporin, nga 25 qershor 2021 deri më 31 maj 2023. Në vitin e parë do të përfitonte 136 mijë euro, ndërsa në të dytin 157 mijë euro.

Mirëpo, pas dy muajsh stërvitje, ai largua pa u aktivizuar në asnjë ndeshje me turqit dhe më 3 shtator 2021 kaloi në formë huazimi te Partizani, me marrëveshjen që gjatë kësaj periudhe, Giresunspori t’i shlyente gjysmën e rrogës: 68 mijë euro.

Kjo nuk ndodhi dhe Mala pasi njoftoi klubin turk, e dërgoi çështjen në FIFA dhe kontrata u prish në mënyrë të njëanshme, duke i hapur rrugën transferimit te Vllaznia.

Lojtari kërkoi një dëmshpërblim prej 240 mijë eurosh nga Giresunspori për shkelje të kontratës dhe si përfundim, padia e Malës u pranua pjesërisht, teksa klubi turk duhet të paguajë tashmë 215 mijë euro.

KONTRATA ME VLLAZNINË – Në vendimin që ka marrë për çështjen Mala-Giresunspor, FIFA ka publikuar edhe termat e kontratës që lojtari ka firmosur me Vllazninë.

“Më 8 nëntor 2022, Mala nënshkroi një kontratë me Vllazninë, të vlefshme që nga data e nënshkrimit të saj deri në fund të sezonit 2022-2023 (sezoni në Shqipëri filloi më 1 korrik 2022 dhe do të përfundojë më 30 qershor 2023). Lojtari do të marrë një pagë mujore prej 5.500 eurosh neto, pra gjithsej 38.500 euro gjatë periudhës nëntor 2022-maj 2023”, shkruhej në dokumentin e FIFA-s.

Faksimile e vendimit të FIFA-s për çështjen Mala-Giresunspor
Faksimile e vendimit të FIFA-s për çështjen Mala-Giresunspor

PANORAMASPORT.AL

© AlbaniaWeb.net