Sun, Nov 24, 2024

“Nuk bën dot zgjedhje kur nuk ke anëtarë?”, Klevis Balliu për përplasjet në PD: Vulën ua ka dhënë Rama, Basha politikisht nuk ekziston

  • PublishedJune 9, 2023

Klevis Balliu ka komentuar në Neës24 situatën në PD-në zyrtare, ku një pjesë kërkon zgjedhje për kryetar menjëherë dhe një pjesë tjetër kërkon fillimisht analizë për humbjen më 14 maj dhe riorganizim.

Në një lidhje “skype”, Balliu, shef i organizimit të ish-kryeministrit Sali Berishës tha se nuk mund të bëjnë dot zgjedhje kur nuk kanë anëtarë. Sipas tij, ata kanë vetëm vulën që ua ka dhënë Edi Rama.

“Me kë do bëjnë zgjedhje. As 30 veta nuk mbledhin dot sot. Kush do të votojë. Dëgjova Gaz Bardhin nga 61 degë, nuk kemi mbi 41 kryetarë. Kanë vetëm vulën, vula do votojë. Nuk bën dot zgjedhje kur nuk ke anëtarë. Kanë vetëm një vulë, nuk të bën vula parti. Edi Rama ua ka dhënë atë vulë. Është koncepti dhe stilet e Edi Ramës. Janë tipike stilet e Edi Ramës. Rama i kontrollon, i dirigjon, iu jep biznese, tendera.
Bashën e ka punësuar Edi Rama. Politikisht është një njeri që nuk ekziston, një njeri pa mbështetje. Këta nuk kanë anëtarë për të bërë zgjedhje. Nuk kanë këshill kombëtar, nuk kanë kryetarë degësh. Po i referohem deklaratave të Gaz Bardhit. Kush do votojë? Të punësuarit në kompaninë e kunatit të Bashës? Nuk mund të kërkosh procese zgjedhore në një parti që nuk ekziston, sepse ata nuk janë Partia Demokratike dhe nuk ia vlen të merremi me ta. Ne duhet të merremi me qeverinë”, tha Balliu për situatën në PD-në zyrtare.

Më tej Balliu u ndal dhe te deklaratat e kryeministrit Edi Rama dhe propozimin e tij për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Ai tha se Rama kërkon të rregullojë figurën e Presidentit serb Aleksandër Vuçiç.

“Edi Rama vjen nga një background në krye të një partie, historiku i së cilës vjen nga Popoviçi.
Së dyti, po t’i referohemi shkëmbimit të territoreve, apo Ballkanit të Hapur, ku Rama ishte kundër qëndrimeve të qeverisë së Kosovës.
Është gjetur një mënyrë tjetër për të goditur lidershipin e Kosovës, interesat kombëtare për t’i ardhur në ndihmë Vuçiçit. Deklaratat e Ramës dhe të Vuçiçit të njëjtat se veprimet e qeverisë së Kosovës kanë frymëzuar trazirat në veri ë Kosovës, ndërkohë që dhjetëra ushtarë të KFOR-it u dhunuan dhe plagosën nga grupe kriminale serbe.
Kur këto deklarata i bën Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë nuk ka ndihmë më të madhe për Vuçiçin, i cili mund t’iu thotë ndërkombëtarëve nëse nuk më besoni mua, besoni kryeministrin e Shqipërisë.
Kur Edi Rama thotë që 1999 nuk ka lidhje me këtë është një tradhti kombëtare. Rama do të harrohet 1999 sepse Vuçiç ishte ministër i propagandës së Serbisë. Ndaj do të harrojë historinë dhe të shpikë një histori tjetër ku rreziku për destabilitein e rajonit është Kosova dhe jo Serbia”, tha Balliu.

Ai theksoi se Rama nuk mund të thotë që Shqipëria nuk është palë.
“Ne patjetër që jemi palë, jemi në krahun e Shqipërisë. Je një, je Shqipëria, je Kosova. Edi Rama kërkon që me këto akte dhe deklarata të rregullojë figurën e Vuçiç, që të mos shihet si përfaqësues i interesave ruse në Ballkan, jo si eksportuesi më i madh i racizmit në Ballkan dhe Europë, por si njeriu dhe presidenti i matur, i cili nuk do të merret me problemet e vjetra. Siç i quan Edi Rama që nuk i quan krime, por probleme të vjetra. Linja politike e Ramës ka dalë në pah, është krah Vuçiçit. Kjo është arsyeja që Rama nuk pranoi të votonte rezolutën kundër gjenocidit serb. Dhe propozimet e tij janë shkruar nga ‘Open Society’ në Beograd”, deklaroi Balliu.

Ai tha më tej se Albin Kurti për zgjedhjet në Veri ka qenë në bashkëveprim të plotë me faktorin ndërkombëtar.

“SHBA-të dhe aleatët ishin dakord për t’u mbajtur një proces demokratik.
Një nxitim ka pasur nga ana e Albin Kurtit ka qenë para se të merrte vendimin për vendosjen e kryetarëve të rinj të komunave. Albin Kurti duhet të ishte këshilluar njësoj për hapat që duhet të merreshin pas zgjedhjeve. Kurti dhe qeveria e Kosovës duhet të këshillohet dhe të dalë për një zgjidhje të mirëmenduar.
SHBA-të dhe faktori ndërkombëtar ka bërë thirrje për zgjedhje të parakohshme dhe Albin Kurti është dakordësuar.
Këtu hidhen hipoteza dhe teza nga shërbëtorët e Vuçiçit se Albin Kurti nuk do zgjedhje.
Kosova është e sigurt për meritë të SHBA-ve dhe çdo vendim që duhet të marrë qeveria e Kosovës duhet ta marrë në bashkërendim me faktorin ndërkombëtar”, deklaroi Balliu.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.