Rrumbullaku takim me drejtues qendrorë e vendorë të policisë: Rrisni kontrollet dhe sigurinë gjatë sezonit turistik
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku zhvilloi mesditën e sotme, një takim pune me drejtuesit qendrorë dhe vendorë të Policisë dhe me shefat e komisariateve të Policisë në vend.
Parandalimi i kultivimit të kanabisit, ulja e kriminalitetit, siguria gjatë sezonit turistik, krimet mjedisore dhe performanca e punonjësve të Policisë te qytetarët, ishin çështjet që Drejtori i Përgjithshëm trajtoi gjatë takimit.
Drejtori i Përgjithshëm ka kërkuar nga drejtuesit e Policisë, në qendër dhe në bazë, rritje të forcës parandaluese dhe goditëse ndaj tendencave për kultivim të bimëve narkotike, kontroll më efikas të territorit, rritje të hetimeve proaktive parandaluese me qëllim ndëshkimin e shtetasve përgjegjës që porositin dhe financojnë kultivimin e bimëve narkotike.
Përsa i përket kriminalitetit, pavarësisht se situata kriminale ka tendencë uljeje, Drejtori i Përgjithshëm ka kërkuar rritje të inteligjencës policore me qëllim parandalimin në kohë të ngjarjeve të mundshme kriminale.
Kontrolle të befasishme ndaj kujtdo për të cilin disponohet informacion se ka tendenca kriminale apo merret me veprimtari kriminale. Të punohet më shumë për sigurimin e informacionit, për lokalizimin e shtetasve të shpallur në kërkim, me rrezikshmëri të lartë shoqërore, me qëllim kapjen e tyre.
Në kuadër të sezonit turistik, Drejtori i Përgjithshëm ka kërkuar koordinim të veprimeve me të gjitha strukturat që kanë përgjegjësi për sigurinë gjatë sezonit turistik. Të rritet kontrolli nga toka dhe nga deti, për shtetasit që ushtrojnë aktivitete argëtuese me mjete lundruese në det, me qëllim rritjen e sigurisë së pushuesve, por dhe për parandalimin dhe goditjen e trafiqeve të paligjshme. Muzika në lokale, pas orarit të caktuar apo abuzimi me lejen për të vënë muzikë brenda orarit të caktuar, nuk duhet të tolerohet në asnjë mënyrë. Pronarëve apo administratorëve të bizneseve që do shkaktojnë ndotje akustike, do t’u sekuestrohen pajisjet e muzikës.
Krimet mjedisore ishin një tjetër tematikë e diskutuar nga Drejtori i Përgjithshëm i cili tërhoqi vëmendjen për gërryerjen e shtretërve të lumenjve, prerjen e paligjshme të pyjeve dhe për tendencën për ndërtime pa leje, brenda vijës së verdhë dhe në zona bregdetare.
Drejtori u ndal dhe në performancën e punonjësve të Policisë dhe për këtë kërkoi që drejtuesit e Policisë të qëndrojnë më afër efektivëve, të kontrollojnë dhe të menaxhojnë strukturat në varësi, pasi performanca është një nga nyjet kryesore që lidh Policinë me qytetarët.
Në fund të takimit, Drejtori i Përgjithshëm ka kërkuar nga të gjithë, reflektim, kontrolle në terren dhe marrje të përgjegjësive, në të kundërt nuk do të ketë vetëm masa administrative, por ndaj cilitdo që do të abuzojë me detyrën dhe me besimin e qytetarëve, Drejtori i Përgjithshëm ka paralajmëruar ndjekje penale.
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
–