Koalicioni “BF” dhe kandidati Lefter Maliqi kërkojnë rinumërim të të gjitha votave për Kuçovën, KAS vendos të hënën
Kuçova është çështja e fundit që do të shqyrtohet nga Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve. Kërkesa ankimore e prezantuar nga koalicioni “Bashkë Fitojmë” dhe kandidati Lefter Maliqi për rinumërim të të gjitha votave, do të diskutohet nga KAS në mbledhjen e mesditës së të hënës. Kuçova rikthehet në tavolinën e anëtarëve të KAS, pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor që detyroi këtë organ të KQZ për ta shqyrtuar edhe një herë. KAS është angazhuar për një numër të konsiderueshëm kërkesash ankimore nga subjekte të ndryshme politike, ku numri më i madh është prezantuar nga koalicioni “Bashkë Fitojmë”.
Javën e fundit KAS ka hapur kutitet e votimit dhe ka rinumëruar votat për kryebashkiak të bashkive Rrogozhinë dhe Belsh. Rivlerësimet e votave në të gjitha qendrat e votimit në këto dy bashki nuk kanë ndryshuar rezultatin, duke konfirmuar në detyrë kandidatët fitues, përfaqësues të Partisë Socialiste.
Koalicioni “Bashkë Fitojmë” ka ankimuar në proceset në dy bashki ku votimi dhe numërimi është kryer përmes elektronikës. Në Kamëz dhe Elbasan është kërkuar nga aleanca opozitare kryerja e ekspertizës së pajisjeve elektronike nga profesionistë të pavarur të huaj, si dhe shpallja e pavlefshme e zgjedhjeve e për pasojë ripërsëritja e tyre në këto dy bashki. Opozitarët pretendonin për parregullsi në pajisjet elektronike dhe për pasojë tjetërsim të votës. Në rastin e Kamzës KAS i ka rrëzuar kërkesat e ankimore. Edhe ankimi për Elbasanin është rrëzuar, por pasi janë rivlerësuar votat në 3 Qendra Votimit. Rezultati i rivlerësimit tregoi se votat në pajisjen elektronike përputheshin me fletët e printuara pas votimit, të gjetura në kuti.
Të hënën, shqyrtimi për kërkesën ankimore që kundërshton rezultatin e zgjedhjeve për kryebashkiak të Kuçovës do t’i japë fund përballjes ligjore disa-javore në KQZ pas zgjedhjeve lokale te 14 majit.
(BalkanWeb)
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
–