Sun, Nov 24, 2024

‘Tradhtoi’ Edmond Haxhinë?/ “Piva ilaçe për depresion, babai prishi fejesën”, ish-partnerja e urdhëruesit të vrasjes së Nikulajt akuza policisë: Më thanë ‘Ruaje veten se…

  • PublishedJune 10, 2023

Vajza nga Lezha, Valbona D., u konsiderua nga Policia dhe Prokuroria e Lezhës si “dëshmitarja e penduar” për ngjarjen e rëndë më 19 prill në Shëngjin, ku mbeti i vrarë biznesmeni Ardian Nikulaj. Sipas policisë, ishte pikërisht ajo që “tradhtoi” të fejuarin e saj Edmond Haxhia duke treguar detaje për blerjen e motorit që dyshohet se u përdor në atentat dhe lidhjet e tij me “turistin” portugez, Ruben Saraiva, që akuzohet si atentatori.

Por, pas publikimit të dëshmive të saj të siguruara nga dosjet e prokurorisë, ajo i ka dërguar kërkesë organit hetues në Lezhë të njihet me dokumentet e dëshmisë që ka dhënë. Vajza në të kërkon të drejtën për t’u njohur me aktet, dëshminë e saj të vërtetë, kërkon të përfaqësohet ligjërisht nga një avokat i zgjedhur prej saj, pasi ajo në momentin kur ka rënë në dijeni të dëshmive të saja të botuara nëpër media, ka pretenduar se nuk i ka thënë asnjë prej atyre që janë servirur.

Por, kur nuk ka marrë përgjigje nga institucioni i akuzës. Me anë të një kërkese tjetër, kërkesë që mban datën 7 qershor, iu drejtohet për ndihmë Avokatit të Popullit, ministrit të Drejtësisë, Drejtorit të Policisë së Shtetit dhe Prokurorit të Përgjithshëm. Valbona ka shpjeguar se përveç presionit të bërë përgjatë dy shoqërimeve të saj, ku sipas saj, i është thënë se ajo do të dënohej me 10 vjet burg, i është se djali me të cilin ishte fejuar e ka përdorur në ngjarje për t’i lënë krimin.

“DUA AVOKAT”

“…ndërkohë duhet të theksoj se me datë 26.4.2023, kur jam kërkuar për herë të dytë, të dëshmoj në Polici, kam kërkuar avokat, për shkak të gjendjes sime të rënduar psikologjike. Më është refuzuar jo vetëm të ishte i pranishëm, por edhe për çdo detaj tjetër procedural… Policia më ka nxjerrë jashtë komisariatit për të bërë kërkimet e tyre dhe më bënin komente të tipit: ‘Ai s’të ka dashur për nuse, të ka përdorur, ruaj veten nga burgu se do hash 10 vite burg’.

Pas këtyre metodave që për mua ishin shokuese pas asaj ngjarjeje dhe në padijeni juridike për gjithçka, kam pirë ilaçe pafund për qetësim nga depresioni (ilaçe që vazhdoj t`i marr edhe sot) dhe nuk e kam ndjerë më veten emocionalisht të qetë që të mbaja mend çdo fjalë që thosha për të shpëtuar veten nga burgu edhe pse unë as dija gjë e as di për organizmin e asaj vrasjeje. U detyrova të prishja fejesën më pas, pikërisht me vendim të babait tim dhe kanë tërhequr unazën gratë e familjes Haxhia, pasi burrat ishin të ngujuar. Konsiderohem mediatikisht si dëshmitarja e penduar që kam treguar krimin, gjë e cila nuk është e vërtetë. Do iu lutesha të ndërhyni që të ketë sqarim nga Policia e Shtetit që unë Valbona Deda nuk kam thënë kurrë asnjë fjalë për organizim krimi!”.

Valbona vazhdon më tej duke treguar edhe detajet për makinën, motorin, njohjen me Ruben Saraivën, mos takimin me të asnjëherë në shtëpinë e Edmond Haxhisë, që kishte bërë plan që të ikte në Angli, që më datë 3 maj, kishte takimin për dhënien e shenjave të gishtave në ambasadën britanike, që tashmë fejesa është prishur pasi i ati ka frikë se mos i vritet kush i familjes, që Valbonës i është ndaluar të dalë jashtë vendi.

Valbona refuzon të ketë thënë dëshminë që ka dalë nëpër media, por ajo kërkon të ketë avokatin e vet dhe të njihet me dëshminë që ka dhënë pasi ajo nuk është më e sigurt për asgjë./Panorama

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.