Surprizohet nga Bojken Lako; Petrit Çarkaxhiu flet për jetën e tij profesionale dhe atë private
I ftuari i dytë në programin “Dola te Ola” ishte artisti i njohur nga Kosova Petrit Çarkaxhiu.
Këngëtari prej 26 vitesh është vokalist i grupit “Jericho”. Ai tregoi se në vitet ‘90 ata kanë kënduar në anglisht, dhe nga 2009 këngët e tyre kanë qenë në dialektin gegë.
Petrit Çarkaxhiu zbuloi se janë duke punuar për një album, i cili do të vijë së shpejti për publikun. Ai tha se tashmë kanë filluar të merren edhe me pjesën e Toskërisë. “Është eksperimentim dhe kënaqësi. E kemi marrë si obligim patriotik”.
Çarkaxhiu ka kryer gjimnazin në Tiranë dhe prej asaj kohë mban lidhje me shumë artistë shqiptarë, një prej të cilëve është edhe Bojken Lako, i cili e surprizoi gjatë programit me një videomesazh shumë të bukur.
Duke rrugëtuar nëpër kujtime me anë të fotografive, Petriti e cilësoi vetën si një “fëmijë të gjallë, por jo problematik”. Artisti foli edhe për marrëdhënien me prindërit, teksa rrëfeu se pasi nëna ka ndërruar jetë babai i tij është kthyer në Gjakovë, ndaj ai mundohet që një pjesë të mirë të kohës ta kalojë aty me të.
“Është kritikuesi më i madh i imi. Vlerësoj shumë mendimin e tij. Meqenëse e njeh shumë mirë muzikën shqiptare”, tha ai për të atin, i cili ka qenë një muzikant edhe pse jo profesionist, “Për vite me radhë ka qenë pjesë e një grupi popullor, me të cilin ka dhënë koncerte të shumta”.
Petrit Çarkaxhiu është babai i një vajze, e cila jeton me të ëmën në Slloveni. “Shkoj çdo muaj te vajza, që të kaloj kohë me të”, tha ai.
Mbrëmja në “Dola te Ola” u mbyll me muzikë, Petrit Çarkaxhiu zgjodhi të këndojë këngën “Drenushë e trembur”, duke dhuruar momente shumë të bukura për të gjithë teleshikuesit e News24.
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
–