Sun, Nov 24, 2024

Dita kundër punës së fëmijëve, aktivistët: Qeveria të kthej kokën, ka të mitur që po keqtrajtohen

  • PublishedJune 12, 2023

Aktivistë të shoqërisë civile zhvilluan një marsh me nota proteste për fëmijët që braktisin shkollën dhe futen në sistemin e punësimit, edhe pse ligji e ndalon një hap të tillë. Sipas të dhënave të INSTAT 50 mijë fëmijë shfrytëzohen për punë anembanë Shqipërisë, ndërsa një raport i Save the Children sugjeron se rreth 5.1% e tyre janë të përfshirë në punë të rënda. Aktivisti, Altin Hazizaj tregon se situata është alarmante në Shqipëri dhe kjo duhet të jetë një kambanë e madhe alarmi për shoqërinë në përgjithësi dhe qeverinë në veçanti.

Aktivistët marshuan drejt kryeministrisë, ku vendosën në shkallët hyrëse disa mesazhe sensibilizuese të përcjella nëpërmjet pankartave.

Gjithashtu, sindikatat e arsimit zhvilluan një tryezë diskutimi për shfrytëzimin e fëmijëve. Sipas tyre, ndër qytetet me shkallën më të lartë të braktisjes së nxënësve në shkolla është Kamza, ndërsa fëmijët e komunitetit romë e egjiptianë janë më të prirur për t’u larguar nga institucionet arsimore, e për të ndjekur të tjera alternativa. Ndër shkaqet, ato renditën varfërinë dhe emigracionin.

Fenomeni i shfrytëzimit të fëmijëve tashmë është kthyer në një fenomen global dhe po merr vëmendjen e shumë qeverive dhe organizatave jo fitimprurëse. Në mbarë globin regjistrohen mbi 215 milionë djem dhe vajza që punojnë, ndërsa 115 milionë prej tyre janë të ekspozuar ndaj forcave më të këqija të punës.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.