“Mendimi im për Berishën nuk ka ndryshuar”, Bardhi: Deputetët e larguar janë të mirëpritur të bashkohen. Nëse vazhdojmë kështu, në 2025…
Gazment Bardhi thotë se nuk ka ndryshuar mendim për Sali Berishën, por pavarësisht kësaj, të gjithë deputetët, përfshi edhe ata të Foltores janë të mirëpritur ti bashkohen mbledhjeve të grupit parlamentar.
Në intervistën për News 24, ai thotë se nëse opozita do të vijojë me përçarjen, rezultati në 2025 do të jetë më i keq se ai i 14 majit.
Berisha ka deklaruar se përveç Bashës dhe Alibeajt është gati të takojë çdo deputet tjetër për të gjetur një zgjidhje. Si e mendoni ju?
Nuk i bashkohem asnjë gjuhe ndasie përjashtuese sepse është pikërisht gjuha e urrejtjes që solli atë rezultat që e gjithë opozita mori në 14 maj. Ishte një rezultat që nuk shërben jo vetëm opozitarëve, por as Shqipërisë. Opinionin tim për Berishën ju e dini dhe është publik sa kohë do të jem në politikë. Jo se kam diçka personale me Berishën, por gjykoj se PD-ja duhet të ketë një tjetër të ardhme të saj. Sa i përket mbledhjes së përbashkët të të gjithë deputetëve, të gjithë anëtarët e grupit janë të mirëpritur, por respektoj gjykimin e secilit. Sa i përket zhbërjes së përjashtimeve nga grupi është një kompetencë e partisë. Kjo nuk e pengon secilin deputet të opozitës të dalë nga lista e zgjedhjeve që në aksionin opozitar ne të jemi bashkë.
Zgjedhjet e 2025 janë shumë afër, PD-ja është e ndarë në tre linja, Berisha, Basha dhe Bardhi. Kush është përgjegjës që Rama po shkon drejt mandatit të katërt?
Të kërkosh respektimin e statutit nuk do të thotë se ke një linjë brenda partisë. Debati brenda një partie politike është gjëja më normale që ndodh. Nëse kjo gjuhë ndarje vijon edhe në të ardhmen, opozita do të dalë edhe më keq se në 14 maj dhe Rama më i fortë se sa ishte në 14 maj. Ky duhet të jetë shqetësimi i çdo demokrati. Nuk ka rëndësi fati personal i asnjë individi.
Kush është përgjegjës?
Unë e drejtoj gishtin së pari nga vetja, për të treguar përgjegjshmëri. Nëse vazhdojmë me teorinë që fajin e ka tjetri, do të vazhdojmë me të njëjtin ngërç që kemi një vit e gjysmë. Nëse secili shikon interesin e vet personal, 2025 do të jetë një ëndërr e keqe për Shqipërinë dhe PD-në.
Nëse kryesia vendos të mos respektohet statuti dhe të mos mblidhet Këshilli Kombëtar, do qëndroni si sekretar i përgjithshëm?
Vendimet e mia do ti marr në interes të partisë dhe të demokratëve, por nuk e çoj në mendje që kryesia e partisë nuk do zbatonte statutin. Do të vihej në pikëpyetje legjitimiteti i kryetarit të ri të partisë dhe e gjithë strukturës së partisë.
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
–