Tue, Nov 26, 2024

“Blinken e hodhi në tokë, ai i futi shkelmin”, deputeti i PD për propozimin e Ramës për Asociacionin: Shpresoj të mos jetë përdorur! Ja tre problemet kryesore me draftin

  • PublishedJune 13, 2023

Në pjesën e dytë të emisionit “Open” në News24 po diskutohet në lidhje me tensionet në veri të Kosovës dhe tensionet e krijuara në marrëdhënien Shqipëri-Kosovë pas prezantimit të një drafti për krijimin e asociacionit nga kryeministri Edi Rama dhe reagimet kundër nga Prishtina zyrtare.

I ftuar në studio, deputeti i PD Kreshnik Çollaku, ka deklaruar se me një hap të tillë Rama ka shkelur kodin e sjelljes ku Tirana ishte gjithmonë ë krah të Prishtinës, e jo një palë e tretë mes saj dhe Serbisë.

Ai shton se sheh tre probleme në lidhje me draftin, ndërsa shton se me tensionet në veri Kosova është e fituar sepse nëse deri tani kontrollin e veriut e kishte Beogradi dhe bandat e saj, tashmë kontrollin e ka KFOR.

“Mendoj që ka bërë 2 goditje të panevojshme. Dua të kujtoj postimin në Twtter pasi Kurti kishte marrë një twitter të fortë nga Blinken. Kur të godet Blinken ke rënë në tokë, por i shkonte Ramës t’i fuste edhe një shkelm pas?
Pa njohur draftin shoh tre probleme kryesore.
E para, me draftin Rama ka thyer një kod të sjelljes e qëndrimit politik të Tiranës që ka qenë i konsoliduar. Pa njoftuar as parlamentin, as qeverinë as presidencën e Kosovës, projekton Shqipërinë si palë e tretë. Shqipëria s’mund të jetë palë mes Prishtinës e Beogradit, duhet të jetë palë në krah të Kosovës, pavarësisht gjithçkaje. Kjo dobëson Kosovën dhe jep idenë se Kurti është vetëm.
Nuk do të doja që Rama është përdorur. Kurti e ka ndarë mendjen që nuk do një shtet paralel serb në Kosovë. Imagjinoni nëse një propozim i tillë të vijë nga Shqipëria, sa me shpatulla pas murit do të vihej Kurti.

Mendoj që aty brenda ka edhe përpjekje për diversion politik në politikën e brendshme të Kosovës. Nënkryetari i parlamentit të Kosovës pranon se ka dijeni për draftin, kryeparlamentari thotë që nuk ka dijeni.

Referuar fjalës sot të Ramës, mendoj që Kurti duhet e do të bëjë çdo përpjekje për të shmangur një konflikt me SHBA.

Do vijë një ditë që në Bruksel Kurti e Vuciç do ulen për marrëveshjen finale.
Avantazhin do e këtë kushdo që kontrollon veriun, deri tani bandat e Vuçiçit kontrollonin veriun. Sot nuk e ka më Serbia, as Kurti nuk e ka por e ka KFOR.

Nëse ulen sot, Vuçiç ulet me karta më të ulëta në tryezë”, tha ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.