Ish-zëdhënësi i PS zgjidhet drejtor i televizionit publik
Këshilli Drejtues i Radiotelevizionit Shqiptar, RTSH, zgjodhi të martën Alfred Pezën si drejtorin e ri të Përgjithshëm – një ish-deputet dhe ish-zëdhënës politik i Partisë Socialiste.
Edhe pse votimi ishte i fshehtë, Peza u zgjodh me votat unanime të nëntë anëtarëve të pranishëm në mbledhjen me dyer të mbyllura, ku u votua mes katër kandidaturave për këtë post drejtues. Kandidatët e tjerë në garë ishin Laureta Roshi, Enrik Mehmeti dhe Helidon Haliti.
Ligji për Median Audiovizive i pengon funksionarët politikë që të kandidojnë për kreun e televizionit publik, duke mos lejuar kandidimin e atyre që kanë qenë deputetë apo kandidatë për deputetë në dy legjislaturat e fundit, anëtarë partish apo organizatash politike, apo të zgjedhur në pushtetin vendor.
Këshilli Drejtues pretendon se Peza i plotësonte këto kritere, ndonëse më parë ai është angazhuar si deputet dhe më pas si sekretar i Marrëdhënieve me Mediat dhe Shoqërinë Civile deri në shtator 2021.
“Nuk ka qenë deputet në dy legjislaturat e fundit,” tha Leka Bungo, kryetar i Këshillit Drejtues të Radiotelevizionit Shqiptar. I pyetur nga BIRN për angazhimin e Pezës në PS, Bungo tha: “ka sjellë dokument që vërteton se nuk është anëtar i PS-së”.
Peza e nisi karrierën si gazetar dhe drejtues mediash në fillim të viteve ’90, për t’u angazhuar politikisht në vitin 2013 me Partinë Socialiste, kur u zgjodh deputet i saj në zonën e Peqinit.
Gjatë legjislaturës 2013-2017 ai mbajti poste politike në parti si zëdhënës dhe më pas sekretar dixhital i votuar nga Asambleja e partisë. Në vitin 2017, Peza nuk u rikandidua në listën e PS-së, por vazhdoi të ushtronte poste politike.
Gara për drejtorin e ri u hap në fund të majit, pas dorëheqjes së drejtorit të mëparshëm, Enkelejd Joti.