Sun, Nov 24, 2024

Veliaj inspekton punën në gjimnazin “Besnik Sykja”: Shkolla po rindërtohet me kushte moderne, dy herë më e madhe

  • PublishedJune 13, 2023

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u ndal sot për një inspektim në gjimnazin “Besnik Sykja”, i cili po rikonstruktohet, duke u zgjeruar me hapësira të reja për të pritur nxënësit në vitin e ri shkollor. Veliaj tha se shkolla do të jetë dy herë më e madhe, pasi është marrë parasysh edhe rritja e zonës.

“‘Besnik Sykja’ është një shkollë me 700 nxënës, por tani do ketë një godinë për mbi 1000 nxënës, me klasa më të mëdha, për të shmangur dyndjen. Ideja është që jo vetëm ta ndërtojmë shkollën më të bukur dhe më të forte, por edhe më të madhe, duke parashikuar se si do të rritet zona. Shkolla është bërë me idenë e një Tirane që rritet dhe një shkollë që ka sot ndoshta, më shumë hapësirë se ç’i duhet, por ama është e përgatitur për dy-tre dekadat e ardhshme. Më vjen mirë që shkolla, si të gjitha shkollat e reja, po bëhet jo vetëm estetikisht shumë herë më e këndshme, por ka edhe gjithë lehtësirat për nxënësit. Ky ka qenë një vit ku jemi marrë shumë me sportin, sidomos me sportin komunitar, por sidomos me përfshirjen e fëmijëve me aftësi ndryshe. Shkollat e reja janë me aksesueshmëri dhe ofrojnë të gjitha kushtet për të lehtësuar këta nxënës në të gjitha mjediset e saj”, tha Veliaj.

Me apo pa fushatë, tha kryebashkiaku, puna duhet të ecë me ritme të shpejta. “Kemi preferuar të përdorim gjithë perimetrin periferik të shkollës, që të sigurohemi që hapësira në mes, tamam si një përqafim i madh mes ndërtesave prej betoni dhe një oborri të madh që nesër do të përdoret edhe si qendër Komunitare, ka gjithashtu edhe lidhje me palestrën e re. Kur mbaron mësimi, i gjithë komuniteti mund të përdorë oborrin ku do jenë fushat sportive dhe deri tek aksesi në palestër, ndërkohë që shkolla ka gjithashtu aksesin e saj të brendshëm, dhomat e zhveshjes dhe gjithë nyjet higjieno-sanitare. Janë pushime apo jo, është dimër apo verë, ka apo s’ka fushatë, premtimi që kemi dhënë është: në Tiranë do vlojë puna. Më vjen mirë që puna vlon, edhe pse kemi pasur disa vështirësi për shkak të motit”, tha Veliaj.

Në fund kreu i Bashkisë tha se dëshiron që të paktën oborri i shkollës të hapet, në mënyrë që maturantët të mund ta zhvillojnë aty ceremoninë e diplomimit. Shkolla do ketë 27 klasa, plus ambientet ndihmëse dhe laboratorët, e po ashtu hapësira të tjera shumë-funksionale, që do krijojnë lehtësira për nxënësit, mësuesit dhe komunitetin e zonës.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.