Vendimi/ Task-Forcë për kontrollin e tokave bujqësore pa titull pronësie, në përdorim nga të tretët, ja kushtet që bëjnë objekt një pasuri të paluajtshme
Tokat bujqësore pa titull pronësie, por në përdorim nga të tretët do të kalojnë në sitën e Task Forcës ndërinstitucionale të propozuar nga Këshilli i Ministrave.
Vendimi i botuar në Fletoren Zyrtare “Për ngritjen e Task-Forcës për koordinimin e procesit të trajtimit të tokave bujqësore në përdorim, në kushtet e nenit 12, të ligjit nr. 20/2020” parashikon që në përbërje të Task -Forcë do të ketë përfaqësues nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Drejtësisë, Agjencia e Trajtimit të Pronës dhe Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor. Përbërja e saj do të miratohet me urdhër të Kryeministrit.
Task Forcë do të ketë detyrë të hartojë planin e veprimit për trajtimin dhe zgjidhjen e problematikës në lidhje me tokat bujqësore në përdorim të personave fizikë (individë) pa titull pronësie. Fillimisht do të evidentohen sipërfaqet e pronave si dhe poseduesit e tyre.
Me tej Task Forcë do të analizojë rast pas rasti rrethanat për fitimin e pronësisë sipas mënyrave origjinale të parashikuara në Kodin Civil apo mënyrave të tjera të posaçme, të parashikuara në ligje të veçanta.
Nga ana tjetër sipas vendimit Task -Forca do të bashkëpunojë me Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, me qëllim finalizimin e proceseve, për kërkesat e dorëzuara pranë këtij institucioni nga pushteti vendor.
Afati për evidentimin e sipërfaqeve të pronave bujqësore pa titull pronësie, por në përdorim nga të tjerë dhe adresimi për zgjidhjen e problematikës së pronësisë është përcaktuar 1 vit nga hyrja në fuqi e vendimit.
Objekt i veprimtarisë së Task-Forcës do të jenë pasuritë e paluajtshme që plotësojnë disa kushte, si: janë braktisur nga subjekti pretendues ligjor dhe nuk janë regjistruar pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK), janë toka bujqësore (sipas zërave përkatës të saj), nuk janë prona private të të tretëve, nuk janë objekt i formave të kompensimit fizik, nuk janë zënë nga ndërtime pa leje të të tretëve apo të vetë subjektit kërkues nuk janë objekt i investimeve strategjike, sipas legjislacionit në fuqi për investimet strategjike, nuk janë prona shtetërore të destinuara për qëllime turistike, nuk janë prona publike të patjetërsueshme dhe nuk janë të zëna nga ndërtimet, objekt trajtimi, të nenit 34, të ligjit nr. 20/2020, “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”.
Vendimi përcakton se në mbështetje të veprimtarisë së Task-Forcës, pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës do të formohet sekretariati teknik i saj, i përbërë nga punonjës të kësaj Agjencie. Punonjësit e sekretariatit caktohen nga drejtori i përgjithshëm i ASHK-së. /Monitor/
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
–