Sun, Nov 24, 2024

EKSKLUZIVE/ “Kam vendosur për ofertën nga Azerbajxhani”, Shehi: Ju tregoj situatën me kontratat e lojtarëve

  • PublishedJune 15, 2023


EKSKLUZIVE/ “Kam vendosur për ofertën nga Azerbajxhani”, Shehi: Ju tregoj situatën me kontratat e lojtarëve

14 June, 2023

14 June, 2023

Orges Shehi kërkon një skuadër kampione. Në një intervistë për “Panorama Sport”, numri një i stolit të Tiranës pranon se do të qëndrojë bardheblu paçka ofertave. Pohon se skuadrës i duhen mbrojtës dhe sulmues, ndërsa kërkon titullin kampion. Dy fjalë edhe për Hasanin që mund të shitet këtë verë dhe sigurisht afrimet e reja në ekip.

Duke lënë pas gjithçka që ka ndodhur, për Tiranën nis një sezon i ri me stërvitjen e parë?
Përgatitjet nisin shumë shpejt. Fiks pas një jave apo dhjetë ditëve nisim sezonin e ri. E dimë që na presin Kupat e Europës. Shpresojmë që të bëjmë akoma më mirë. Gjëja e mirë është që kemi afruar direkt Selmanin dhe Kainën, dy lojtarë shumë cilësorë. Janë futbollistë që mbushin boshllëqet që kemi. Pjesa tjetër është nën kontratë. Edhe nga ana tjetër pranoj se kjo javë do të jetë e vështirë, pasi kemi lojtarë me U-21-shin. Kristali pas sakrificës që bëri në sezonin e shkuar nuk do të jetë i gati deri në 23 qershor do të jenë të diferencuar. Edhe Lushkja po ashtu. Kemi pak lojtarë, por do të përgatitemi për të shkuar më pas në ndeshjet e Konferencë Ligës.

Cilët nga lojtarët e vjetshëm mund të themi se janë lojtarë të Tiranës?
Nga ata që ishin, janë ata që janë larguar dhe më pas Hila dhe Aleksi pa kontratë. Në dijeninë time, Aleksi është dakord për çdo gjë dhe për punë ditësh, sot apo nesër, mund të firmosë dhe kjo prej Aleksit dhe klubit. Hila ka firmosur. Të tjerët janë nën kontratë. Shto këtu edhe Kainën e Selmanin që janë tanët. Presim të firmosim edhe me Obanorin. Presim që në ditët në vazhdim të plotësojmë pozicionet ku kemi nevojë për lojtarë.

Cilat janë pozicionet që Tirana ka nevojë për t’u plotësuar me lojtarë këtë verë?

Krahët e mbrojtjes. Ama shumë shpejt të djathin mund ta dublojmë. Në krahun e majtë kemi vetëm Përgjonin dhe në mënyrë imediate kërkojmë lojtar në atë pozicion, sepse nuk mund të rrijë ai krah vetëm me një alternativë. Shpresoj që të gjejmë një lojtar cilësor që të jetë në krah të Përgjonit. Duke parë edhe projeksionet e mjekëve për Nikqin dhe Patrikun, duhet të ndërhyjmë edhe në sulm për të pasur një lojtar tjetër në organikë.

Kjo skuadër po ndërtohet mirë jo vetëm për Europën, por edhe për titullin kampion?

Mendoj se lëvizje më shumë ka pasur vjet si në gusht dhe në janar sesa këtë vit. Pjesa më e madhe është. Po përforcohemi aty ku duhet. Sigurisht që fokusi është afatshkurtër, Konferencë Liga dhe afatmesëm është kampionati për të qenë kompetitivë siç i ka hije Tiranës. E para është që të hedhim hapat një nga një dhe të plotësohemi sa më shpejt dhe të forcohet grupi dhe të bashkohemi të gjithë. Më pas të presim shortin në datën 20.

Ju shqetëson një largim i Hasanit, ashtu siç ndodhi me Xhixhën?

Jam mësuar me largimet nga klubi. Sigurisht nëse Hasani largohet me parametrat që kërkon klubi nuk do të isha pengesë. Nuk dua që lojtarit t’i pengohet e ardhmja apo prishja e funksionimit të klubit, duke marrë të ardhura të mjaftueshme për vlerat që mbart lojtari. Nëse do të transferohet do të hyjmë në merkato. Për momentin nuk ka asgjë të sigurt.

E sigurt është një ofertë për ju nga Azerbajxhani?
Ka shumë diskutime trajnerësh, lojtarësh. Bota është zvogëluar shumë. Miq të përbashkët kudo. Edhe ndonjë indicie mund të ketë mes miqve, por që përfunduan në mediat azere. Për mua është çështje e mbyllur. Kam vendosur që të rri këtu. Të shohim nëse kemi fat dhe vazhdimësi për të qenë në rrugën që kemi qenë këto dy vite. Vitin e parë 73 pikë dhe vitin e dytë 67, edhe pse patëm shumë lëvizje lojtarësh. Kemi qenë të parët në renditje.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

© AlbaniaWeb.net