“Te Teatri”, trupi dhe trupa në librin e Elsa Demos: Imponimi i estetikës te raporti i publikut me skenën
Teatri kombëtar i Shqipërisë, ai i shemburi, vjen në optikën e gazetares Elsa Demo. Teatri si trup, pra si godinë dhe teatri si trupë, pra komuniteti që krijoi art, në një libër që dokumenton dhe dëshmon 20 vitet e fundit, përmes ngjarjeve, politikave e prodhimit artistik merr tjetër peshë, tashmë kur godina është kthyer në pluhur.
“Unë do e kapja teatrin si gazetare kulture në vitet 2000 ndërkohë që identiteti i ri i Teatrit Kombëtar nis pak më përpara, me ndryshimet dhe rënien e regjimit komunist, kur Teatri Popullor u bë Teatër Kombëtar dhe bashkë me këtë identitet të ri, do të ecë ky teatër me dilemat e veta, në krizën e vet ekzistenciale që nga trupi i tij, që nga objekti i tij dhe deri te si do të jetë ky teatër në një kohë të re”, thotë Elsa Demo.
Libri ndahet ne 6 kapituj tematikë. Në vitet 2000 një pjesë e teatrit qe kthyer në bingo, që sipas Demos ndikoi në gjendjen ekonomike të teatrit por jo në një mentalitet të ri, gjë që vijoi deri në vitin 2020 kur ai u shemb.
“Nuk ka asnjë çudi e asnjë retorikë ku ne pretendojmë nga aktori që ai të jetë edhe qytetar. Nëse janë ngritur tonet, nëse është ngritur zëri, nëse është dukur më tepër se ç’duhet moralizues, ky pretendim a ky apel, për këtë komunitet, po kërkojmë vërtetë atë që qysh prej antikitetit i është kërkuar teatrit. Teatri nuk është krijuar për zbavitje, teatri është krijuar për të purifikuar shoqërinë e për ta vënë para pasqyrës” thotë gazetarja.
Për Demon, edhe me humbjen e teatrit mësuam diçka, ndërsa flet për një traumë të cilën duhet ta përpunojmë për t’u rritur.
Vetë kopertina nga Ergin Zaloshnja ndërtohet me emrat e artistëve që shërbejnë artistikisht si “tulla” për imazhin e godinës, ndërsa epilogu është i qartë: Ai përfundim ku arrij unë që e quajtura e rilindje e forcës socialiste në Shqipëri, imponoi me apo dashjen e saj, qe një vullnet do të thosha përvers për të imponuar një estetikë të re, jo vetëm për qytetet por edhe per atë që do të duhej të ishte raporti i skenës së teatrit me publikun dhe këtu përfshihet edhe fati i godinës.
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
–