Bankers Petrolium krah të rinjve në mësimin e gjuhës kineze! Zhvillohet konkursi i 6-të i gjuhës kineze ‘Chinese Bridge’
U zhvillua për vitin e 6-të radhazi konkursi i gjuhës kineze ‘Chinese Bridge’ në mjediset e Institutit Konfuci në Tiranë. Dhjetëra të rinj, studentë dhe nxënës të shkollave të mesme të kryeqytetin performuan në aftësitë e tyre në gjuhën kineze, art dhe kulturë. Këshilltari i Ambasadës Kineze në Tiranë, z.Wang Dexin tha se interesi e të rinjve shqiptarë për të mësuar gjuhën dhe kulturën kineze është shumë pozitiv në kushtet kur lëvizja mes dy vendeve është lehtësuar falë heqjes së vizave.
“Ky konkurs është një aktivitet që zhvillohet nën kujdesin e veçantë të Ambasadës dhe ne jemi shumë të lumtur që të rinjtë e Shqipërisë të njohin dhe mësojnë gjuhën dhe kulturën kineze. Tashmë lëvizja dhe marrëdhënia mes dy vendeve pritet të intensifikohet sepse janë hequr vizat dhe parashikohet një ritëm më i madh i flukseve të vizitorëve nga të dyja palët”, tha z.Dexin. CEO i Bankers, z.Huanqin Xiao tha se Bankers ka mbështetur aktivitetet dhe programet e Institutit Confucius për studentët e rinj pasi ne besojmë se mësimi i gjuhëve dhe kulturave të ndryshme është shumë i rëndësishëm për të pasur sukses në ditët e sotme
“Jam shumë i lumtur që shoh kaq shumë të rinj këtu të interesuar për të mësuar gjuhën kineze dhe që e flasin aq mirë atë. Kina është një vend i madh plot kulturë dhe histori dhe ka një gjuhë unike që është mjaft sfiduese për t’u mësuar. I uroj shumë suksese këtyre të rinjve në përpjekjet e tyre të ardhshme”. Juria përzgjodhi edhe fituesit e këtij konkursi, ku dy të parët do të mund të shkojnë në Kinë për të përfaqësuar Shqipërinë në kompeticionin mbarëbotëror për gjuhën kineze. Globalisht konkursi “Chinese Bridge” ka 22 vite që zhvillohet në mbarë botën.
(BalkanWeb)
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
–