Gjyqtarja Alma Kodraliu përballet me vetingun
Gjyqtarja Gjykatës së Tiranës, Alma Kodraliu u përball të premten më 16 qershor me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK kur gjatë seancës dëgjimore dha shpjegime për disa gjetje në aspektin profesional dhe lidhur për një bilanc negativ në shumën rreth 366 mijë lekë të konstatuar në një vit. Kodraliu mori vlerësim pozitiv për pastërtinë e figurës.
Procesi i vetingut për gjyqtaren Kodraliu po kryhet nga trupa e KPK e kryesuar nga Brunilda Bekteshi, me relatore Etleda Çiftjan dhe anëtar Lulzim Hamitajn. Në cilësinë e vëzhgueses ndërkombëtare ishte e pranishme Elka Ermenkova.
Alma Kodraliu përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2010 dhe u emërua fillimisht në Gjykatën e Pogradecit. Ajo punoi si ndihmëse ligjore në Gjykatën e Lartë në vitet 2013-2015 dhe prej vitit 2016 e ushtron funksionin në Gjykatën e Tiranës.
Sipas Çiftjas, subjekti ka deklaruar se zotëron një vlerë monetare në shumën totale 13 mijë e 200 euro, të përbërë nga një depozitë në masën 8000 euro; gjendje cash 3100 euro dhe 2100 euro i ka dhënë hua.
Nga analiza e burimeve të krijimit të këtyre shumave, ka rezultuar balancë negative në shumën 366 mijë lekë në vitin 2009.
Gjyqtarja Kodraliu vërejti se vetë Komisioni pranonte se në në momentin e deklarimit para fillimit të detyrës të vitit 2008, kishte pasur gjendje cash në shumën 800 mijë lekë, sa ajo kishte deklaruar. Sipas saj, për shkak të mosdeklarimit të pakësimit të kursimeve për krijimin e një depozite në vlerën 650 mijë lekë, kjo shumë ishte konsideruar në analizë si shtim pasurie dhe jo si pakësim.
“Ndryshimi i pasurisë ka të bëjë me pakësimin ose shtimin e pasurisë dhe jo me gjendjen e mbajtur të njëjtë në vlerë, në bankë ose cash”, argumentoi Kodraliu dhe shtoi se këtë pasaktësi e kishte sqaruar pranë ILDKPKI-së. “Pasaktësitë i kam riparuar në deklarimet e vitit 2016. Nuk ka pasur qëllim për shmangie apo fshehje”, theksoi subjekti.
Ndërkohë, Kodraliu ka rezultuar me bilanc pozitiv për blerjen e një automjeti në vitin 2012. KPK nuk ka gjetur probleme as për një apartament të privatizuar nga familja e origjinës, nga shitja e të cilit subjekti ka përfituar pjesën takuese të çmimit. Ndërkohë, nuk janë konsideruar në analizën financiare të ardhurat e deklaruara se janë përfituar nga qiradhënia e këtij apartamenti pasi nuk janë shlyer në kohë detyrimet tatimore.
Relatorja Çiftja sqaroi se nuk janë gjetur probleme në adresat e banimit të deklaruara nga subjekti ndër vite. Po ashtu, ka rezultuar se nëna e subjektit ka pasur mundësi financiare për dhënien e një shume rreth 9900 euro vajzës së kësaj të fundit për të mbuluar shpenzimet e studimeve në Berlin.
Lidhur me konstatimet e Komisionit për tejzgjatje në një gjykim, Kodraliu shpjegoi se ajo çështje i ishte kaluar për ta ndjekur pas një viti dhe menjëherë kishte filluar shqyrtimin. Lidhur me largësinë mes datave të seancave, ajo pohoi se kishte pasur kalendar të ngjeshur. Sipas subjektit, zgjatja kishte pasur të bënte dhe me sjelljen e palëve në proces.
Ajo këmbënguli se kishte marrë gjithë masat për ta përfunduar sa më shpejt procesin, duke krijuar në mirëkuptim të palëve një kalendar të seancave, duke caktuar deri në dy seanca pasardhëse.
Në vijim, subjekti dha shpjegim për një vendimmarrje për kthim të një padie për plotësim, që Apeli e kishte rrëzuar dhe kthyer për rigjykim me tjetër trupë gjykuese. Nga sa u relatua në seancë u mësua se Apeli kishte arsyetuar se palës paditëse i duhej dhënë kohë dhe jo t’i kthehej padia.
Sipas subjektit, padia nuk përmbante asnjë prej elementëve të kërkuar për t’u shqyrtuar dhe kishte vlerësuar se duhej kthyer. Ajo nënvizoi se legjislacioni përcakton se në një rast të tillë padia duhet kthyer ose t’i jepet kohë palës paditëse, duke e lënë në dorë të gjykatës. Kodraliu pohoi se do të ishte absurde që të shqyrtohej një padi e tillë, pasi personat ndaj të cilëve ngriheshin pretendime nuk kishin asnjë lidhje. Kodraliu shtoi se kjo çështje ishte pushuar në vijim dhe nuk ishte ankimuar.
Për konstatimet e Komisionit lidhur me mosdhënien e mendimit nga subjekti për zgjidhjen e disa çështjeve në Gjykatën e Lartë kur ajo kishte qenë në funksionin e ndihmëses ligjore, Kodraliu pohoi se ajo punonte nën udhëheqjen e gjyqtarit të çështjes. Ajo tha se kishte vlerësuar të mos jepte mendim për zgjidhjen e çështjeve duke konsideruar se ishte atribut i gjyqtarit.
Ndaj gjyqtares Alma Kodraliu janë depozituar në Komision 12 denoncime nga publiku, për të cilat u relatua se nuk janë konstatuar gjetje domethënëse.
Në përfundim gjyqtarja Kodraliu dorëzoi një provë lidhur me një prej çështjeve për të cilën i ishin kërkuar shpjegime dhe kërkoi konfirmimin në detyrë. KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më datë 19 qershor, në orën 09:30.