Sun, Nov 24, 2024

KPK dëgjon gjyqtaren Ëngjëllushe Tahiri

  • PublishedJune 16, 2023

Gjyqtarja Ëngjëllushe Tahiri, e cila punon si ndihmësmagjistrate në Njësinë e Shërbimit Ligjor në Gjykatë të Lartë, u përball të premten me 16 qershor me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, kur gjatë seancës dëgjimore dha shpjegime për një balancë negative në shumën 200 mijë lekë të konstatuar në një vit, si dhe për disa çështje të denoncuara nga publiku. Tahiri mori vlerësim pozitiv për pastërtinë e figurës.

Procesi i vetingut për gjyqtaren Ëngjëllushe Tahiri po kryhet nga trupa e KPK e kryesuar , me relator Lulzim Hamitajn dhe anëtare Brunilda Bekteshin. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte e pranishme Elka Ermenkova.

Ëngjëllushe Tahiri përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2010 dhe pas një periudhe stazhi në Gjykatën e Tiranës, u emërua në Gjykatën e Rrethit Krujë. Në vitin 2020, Tahiri u komandua në Njësinë e Shërbimit Ligjor në Gjykatën e Lartë, ku vazhdon ta ushtrojë funksionin.

Relatori nuk konstatoi probleme në blerjen një apartamenti me sipërfaqe 90 m2 në Yzberisht të Tiranës në vitin 2015 për çmimin 5 milionë lekë, pasuri që është regjistruar në emër të subjektit dhe anëtarëve të familjes së origjinës, ku secili zotëron ¼ pjesë takuese.

Megjithatë Hamitaj tha se nga analiza financiare paraprake ka rezultuar balancë negative totale në shumën 200 mijë lekë.

Gjyqtarja Tahiri e kundërshtoi analizën e Komisionit. Ajo vërejti se bilanci negativ është konstatuar në vitin 2016 kur jetonte me prindërit të cilët ishin pensionistë. Sipas saj, shpenzimet e tyre ishin përllogaritur më të larta nga ato të përcaktuara prej INSTAT-it. Subjekti pohoi se në atë periudhë ajo dhe familjarët nuk kishin krijuar asnjë pasuri dhe se rezultonte me bilanc pozitiv. Tahiri shtoi se kjo balancë e konstatuar, nuk mund ta ndëshkojë pasi është në vlerë të vogël.

Në vijim, subjekti dha shpjegime për gjetjet e konstatuara në disa prej 13 denoncimeve të depozituara nga publiku.

Lidhje me një vendimmarrje për mospranim padie kur e ushtronte funksionin në Krujë, Tahiri sqaroi se kishte vlerësuar se kompetente për shqyrtimin e çështjes ishte Gjykata e Tiranës. Ajo pohoi se lidhur me këtë denoncim kishte një vendimmarrje nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, që e kishte arkivuar ankesën e kryer nga i njëjti denoncues.

Për rrëzimin nga Apeli të një vendimmarrje të saj, ku Tahiri i ka dhënë të drejtë prokurorisë për pushimin e një çështjeje, ajo shpjegoi se bëhej fjalë për dy detyra të lëna nga shkalla e dytë, që në fakt ishin kryer nga prokuroria përpara se të mbyllej hetimi. “Në vendimin tim është e qartë se prokuroria i ka kryer këto dy veprime hetimore”, pohoi ndër të tjera subjekti.

Në përfundim, gjyqtarja Ëngjëllushe Tahiri kërkoi konfirmimin në detyrë. KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më datë 19 qershor, në orën 09:40.