Sun, Nov 24, 2024

Andriola Kambo: “MUZA” do të vijë si një platformë ndërkombëtare; Brendet e reja të fokusuara te trashëgimia jonë kulturore

  • PublishedJune 19, 2023

Për të dytin vit radhazi, “Muza Competition”, eventi i kushtuar fashion – dizajnit, vuri përballë të rinj nga gjithë trevat shqipfolëse, në një garë krijimtarie me bazë traditën shqiptare. Ky event konsiderohet absolutisht ngjarja më e bukur në fushën e modës këtë qershor.

Ideuesja dhe realizuesja e këtij aktiviteti, Andriola Kambo, njëherësh drejtore e Unionit të Bashkive Shqiptare të Rajonit tregon se si nisi ky rrugëtim që tashmë po kthehet në një traditë.

Kambo thekson se tashmë po punohet që “Muza” të shërbejë dhe si një platformë ndërkombëtare për promovimin e të rinjtë në skenat botërore. Si drejtuese e UBSHR, Kambo na zbulon edhe një sekret në projektet e saj të afërta, atë të jetëzimit të kalave, një nismë që rezervon mjaft surpriza të bukura.

1. Andriola, pas shume aplikimeve, Muza Competition njohu dhe fituesit e edicionit të 2-të. Si do ta konsideronit këtë sezon?
Muza në vetvete është një vit pune dhe përkushtimi për të dhuruar një natë magjike, për të rinjtë, stilistët tanë, për publikun, për të ftuarit, personalitetet, për anëtarët e jurisë që kanë dhënë emrin e tyre për këtë kompeticion dhe kanë bërë një punë fantastike me gjithë përkushtimin e tyre, për skuadrën që unë drejtoj. Muza nuk ndodhi brenda një ditë, është një vit punë, përkushtim, për të dhënë këtë mbrëmje dhe për të startuar një rrugëtim të ri, për të shënjuar brendet e reja shqiptare që do të jenë të fokusuar te etnografia dhe te trashëgimia jonë kulturore. Ky ka qenë objektivi i Muzës dhe duke e lidhur brendin me një element etnografik jemi duke prezantuar një rajon të caktuar të qyteteve tona, pra aty ku jetojnë shqiptarët.

Muza trokiti në çdo derë ku jetojnë shqiptarët, kudo nëpër botë. Pati një jehonë, që kjo është platforma e mundësive, është platforma e të rinjve tanë, platforma që fiton më i mirë. Për mua të gjithë ishin fitues, sepse të kesh një pjesëmarrje të tillë dhe të dalësh në top 10-shen, janë të gjithë fitues. Ne kishim 10 të rinj të talentuar, që janë bërë pjesë e një familje, dhe këtë e treguan dhe konkurrentët e Muzës 1 në fakt të cilët erdhën si dizajnera dinjtoz.

2. Cili ishte mesazhi dhe çfarë risish përcolli ky edicionin i Muzës?
Mesazhi që përcolli edicioni i dytë i Muzës ishte i qartë, është një platformë që i jep mundësi të rinjve, i jep mundësi talenteve, të rinjve që kanë ide inovatore dhe duan të ecin në këtë industri. Fiton më i miri në fakt. I është dhënë mundësia për një pasarelë mbi 30 m gjatësi, që nuk besoj se mund të ndahet nga eventet e mëdha të modës që ndodhin në vendet evropiane. Mesazhi është i qartë, ne jemi këtu për të mbështetur të rinjtë e talentuar dhe nëse ti je i ri që ke një ëndërr, ke një dëshirë për të promovuar trashëgiminë kulturore nëpërmjet industrisë së modës kjo është mundësia jote. Ne po bëhemi gati për edicionin e tretë.

3. Për të parë nga afër këtë event të rëndësishëm ishin të pranishëm shumë personalitete shqiptare që kanë bërë karrierë brenda dhe jashtë Shqipërisë. A mund të konsiderojmë që ky event po bën bashkë shqiptarët për të promovuar vlerat e etnografisë shqiptare?
Sigurisht që eventi Muza tashmë nuk ka kufi. Kultura, arti dhe turizmi nuk ka kufi. Nuk ka kufij midis personaliteteve, njerëzve të shquar në fushën e modës, sepse e tillë është dhe ekonomia. Nuk ka kufij administrativë midis shteteve dhe kështu me radhë. Dhe Muza e ka thyer këtë lloj barriere, sepse bën bashkë të rinjtë. Ata janë e ardhmja, është fuqia që ne kemi, dhe këtu duhet të kemi të gjithë fokusin e investimit dhe orientimit në treg. Pra nuk flasim më për një treg të vogël, siç mund të jetë Shqipëria. Ne flasim për një treg rajonal dhe në edicionin e tretë fokusin Muza do e ketë në tregun ndërkombëtar. Jam e bindur që fituesit tanë do të jene ata që shumë shpejt do jenë në pasarelat ndërkombëtare dhe pak vite më vonë do krenohemi me ta, sepse e tillë është ambicia. Kur fillon dhe realizon sfilatën tënde të parë në moshën 20-vjeçare, më besoni që ndërtimi i të ardhmes dhe karrierës në majat e fushës së modës është e sigurt, sepse ndërtohet nëpërmjet punës. Puna, arti, krijimtaria, ekonomia krijuese, turizmi rajonal, plus talentin e jashtëzakonshëm që kam konsistuar në këtë edicion do të jetë një rrugëtim i sigurt për të rinjtë tanë dhe për Muzën si platformë, që tashmë ka një ambicie tjetër sesi të jetë një platformë ndërkombëtare sepse të rinjtë tanë e meritojnë një qasje dhe orientim të tillë.

4. Çfarë duhet të presin të rinjtë për edicionin e 3-të të Muza Competition?
Edicioni i tretë i Muzës mendoj se do të na lidhë akoma më shumë emocionalisht, sepse do të shtohen elementë të tjerë që nuk kanë qenë në edicionet e tjera. Do kenë akoma më afër jurinë, mentorët tanë. Do të jemi në çdo qytet. Mendojmë të rritemi, por në fokus do të jetë cilësia dhe sesi ne të kemi një platformë ndërkombëtare. Kjo është ambicia jonë dhe që do punojmë fort në vitet në vazhdim.

5. Si drejtuese e UBSHR, a do të kemi të tjera surpriza që do të bashkojnë më shumë shqiptarët?
Unioni është platforma që është krijuar me idenë sesi të mësojmë, ndihmojmë njeri-tjetrin, sesi të kontribuojmë, dhe ky ka qenë vizioni i themeluesve të tij. Unë kam pasur fatin që më është besuar që ta drejtoj këtë platformë. Të gjitha projektet e Unionit e kanë fokusin në turizmin rajonal dhe projektet e implementuara nga Unioni i Bashkive Shqiptare në Rajon nuk janë pak. Në çdo fushë kemi dhënë një kontribut të caktuar. Por të gjitha projektet e implementuara kanë pasur në fokus turizmin rajonal. Nuk jemi fokusuar ndryshe sepse unë mendoj dhe besoj se projektet e suksesshme dhe risitë që kjo platformë rajonale ka sjellë, janë pikërisht këtu, sepse kjo është dega dhe industria që na bënë bashkë të gjithëve.

Muza na tregoi që trashëgimia kulturore ka pasur shumë nevojë. Tashmë presim sesi të jetëzojmë kalatë tona. Do jetë një projekt shumë i bukur që do të vijë ndryshe, do të vijë në një fokus të ri, turizmi kulturor do të vijë ndryshe. Patjetër që kërkon një impenjim shumë të madh, një koordinim të jashtëzakonshëm me të gjitha qytetet që kemi pjesë të kësaj platformë. Por, sfidat janë gjithmonë të bukura dhe Unioni do të sjellë një frymë të për ekonominë krijuese, për të rinjtë, për historinë tonë kombëtare që ta tregojmë atë në mënyrë dinjitoze dhe t’i japim vlerë çdo hapësire që ne kemi.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.