“Nuk bëjmë kompromis për shpërbërjen e PD-së”, Bardhi: Ndarja brenda partisë i intereson vetëm Edi Ramës dhe regjimit
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka deklaruar për mediat sot se PD nuk ka nevojë për konflikte e debate të brendshme sot, pasi njoftoi bojkotimin e Këshillit Kombëtar ditën e nesërme nga 17 anëtarë të grupit parlamentar.
Bardhi u shpreh se ndarja nuk është në interesin më të mirë të demokratëve dhe se ajo i shërben vetëm kryeministrit Edi Rama dhe “regjimit të tij”.
Ai shtoi më tej se nuk mund të ketë kompromis për shpërbërjen e Partisë Demokratike.
“Rruga që kemi nisur nuk mund t’i ngjajë proceseve fiktive që e kanë dëmtuar PD-në në të shkuarën. Kjo është një histori e shëmtuar dhe anti-statutore që nuk duhet të përsëritet më në Partinë Demokratike.
Në këtë moment PD ka nevojë për maturi, jo konflikt, reflekti me jo urrejtje. Ka nevojë për mendimin ndryshe dhe jo përjashtime të reja. Kujt i shërben një tjetër konflikt në PD? Përse sajohen provokime dhe devijime nga statuti që na ndajnë, kur sot duhet të jemi bashkë. Kujt i intereson kjo ndarje? Di të them me siguri se është e qartë se ky nuk është interesi më i mirë i demokratëve dhe Shqipërisë. Një PD që humbet në debatet e brendshme i intereson vetëm Edi Ramës dhe regjimit të tij.
Ky qëndrim nuk më shërben mua. Do ishte e lehtë të bënim rolin sa për të marrë një post, por ju siguroj se as nuk kemi dhe as nuk do bëjmë kompromis për shpërbërjen e PD-së. Nuk ka kompromis për këtë. Beteja e kolegëve të mi ka vetëm një qëllim, të qëndrojmë përballë pushtetit dhe të kthehemi në alternativë qeverisëse”, u shpreh ai.
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
–