Projektligji që i zgjat mandatin Skënder Gjinushit pritet me kritika në Kuvend, BIRN: Akademia e Shkencave u mbush me deputetë socialistë në pension
Projektligji që parashikon ndryshime në ligjin e 2019-ës “Për Akademinë e Shkencave” u prit me kritika nga deputetët e dy krahëve politikë, për formulimin që lidhej me mandatin e kryetarit të ASH-së dhe për mospërfshirjen e kostos financiare për sistemin e ri të pagave që propozohet.
Propozimi thotë se termi “por jo radhazi” në ligjin aktual, i cili lejon që një kryetar të marrë jo më shumë se një mandat vijues, të shfuqizohet. Heqja e këtij togfjalëshi i hap rrugën rizgjedhjes së Gjinushit pasi mandati i tij mbaron këtë vit.
Deputeti i PD-së, Oerd Bylykbashi, e quajti nismën një qëllim për të ndryshuar mekanizmin e marrjes dhe mbajtjes së kontrollit të pushtetit brenda ASH-së.
“Ndryshimet që propozoni bëhen për të reduktuar korpusin vendimmarrës në akademi dhe synojnë zgjatjen e mandatit për kryetarin aktual”,- iu drejtua ai nismëtarit të projektligjit, deputetit socialist Ismet Beqiraj.
Bylykbashi iu referua ndryshimeve që lidheshin me heqjen e të drejtës së votës për akademikët që jetonin jashtë vendit.
Ai e pyeti Beqirajn nëse propozimet kishin ardhur pas një konsultimi me vetë akademinë dhe, -“specifikisht si një propozim nga vetë Gjinushi”- shtoi ai.
Beqiraj tha se synimi ishte për të rregulluar disa dispozita aburde dhe për të rregulluar funksionimin e akademisë dhe se nuk kishte arsye politike dhe nuk i shërbenin një individi.
“Gjinushi e ka të drejtën për të pasur dy mandate dhe me ligjin aktual, ne nuk po i shtojmë gjë, po heqim atë bishtin …’po jo radhazi’”- tha ai, duke shtuar se votimin e bën asambleja e ASH-së. “Iku koha kur politika fuste duart”- shtoi ai.
Kritika për formulimin pati dhe nga relatori socialist Eduart Ndreca, i cili sugjeroi që në vend të përcaktimit 2 mandate radhazi, të zgjatej koha e mandatit në mënyrë që ASH të mos përfshihej në një proces zgjedhor çdo 4 vjet.
“Ideja e rikandidimit të bjerë dhe të zgjatet mandati”- propozoi ai. Po ashtu Ndreca tërhoqi vëmendjen e nismëtarëve për mosparaqitjen e kostove financiare të projektit, ku ndër të tjera propozohen ndryshime të sistemit të pagave për akademikët.
Komisioni i Ligjeve vendosi që sugjerimet e deputetëve t’i kalonin komisionit përgjegjës, të Medias dhe Edukimit.
Maxhoranca socialiste deklaroi në vitin 2018 se do të reformojë Akademinë e Shkencave, një institucion të kohës së komunizmit, sepse kështu ishte e nevojshme.
Por ligji i ri solli zgjedhjen e Gjinushit, një politikani në pension, si kryetar të akademisë. Presidenti i kohës Ilir Meta refuzoi të mbajë ceremoninë e betimit të Gjinushit duke vënë në dukje faktin se ai është një politikan dhe jo shkencëtar. Socialistët ndryshuan ligjin në mënyrë që të mundësonin betimin e Gjinushit në kuvend dhe jo në presidencë.
Akademia e Shkencave u mbush pas kësaj me deputetë socialistë në pension, të cilët papritur filluan të prezantojnë veten si akademikë./BIRN
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
–