Ndërhyrja në kampin MEK/ “Shpjegimet nuk janë bindëse”, deputeti i PD: Dhuna, veprim i qëllimshëm për të bërë zhurmë
Deputeti i Partisë Demokratike Tritan Shehu, i ftuar në studion e emisionit “Frontline” në Neës24 ka folur në lidhje me ndërhyrjen e policisë ditën e sotme në kampin e MEK.
Shehu u shpreh se justifikimet e policisë nuk janë bindëse për të justifikuar këtë ndërhyrje, ndërsa u shpreh se kjo ngjarje nuk duhet të ndodhte.
Ai e konsideroi atë që ndodhi si “dhunë të panevojshme”, e cila u krye si një veprim i qëllimshëm për të krijuar zhurmë.
“Nga shpjegimet e policisë, unë them se nuk janë bindëse për të justifikuar këtë ndërhyrje. Unë nuk bëj bilancet, por pashë të plagosur në spital. Kjo nuk duhet të ndodhte.
Ishte e shëmtuar ajo që ndodhi. Ishte dhunë e panevojshme. Policia ka shumë mjete të tjera për të vepruar. Ishte një ngjarje që duhet të evitohej. Perceptimi im është se ka qenë një veprim i qëllimshëm për të bërë zhurmë dhe të marrë këto dimensione.
Ka diçka që nuk shkon me linjat tona të politikës së jashtme prej vitesh. Një veprim i tillë ka qenë i qëllimshëm. Djegia e dokumenteve nuk justifikon atë ndërhyrje. Justifikimet tregojnë se diçka tjetër fshihet mbrapa. Janë justifikime qesharake, kur policia thotë se dikush po digjte një thes”, u shpreh ai.
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
–