“Mbështetja e SHBA-së nuk do të mungojë. Reforma në drejtësi…”, ambasadorja Kim: Do të vijë dita kur nuk do të kërkohet vizë për shqiptarët
Ambasadorja amerikane Yuri Kim, në një konferencë për mediat nga Ambasada Amerikane u shpreh se SHBA është e vendosur për të mbështetur përparimin e Shqipërisë.
Gjithashtu ambasadorja Kim në fjalën e saj deklaroi se shqiptarët kanë treguar se po zbatojnë rregullat, duke u shprehur me besim se do të vijë edhe dita që nuk do të kërkohet më vizë.
“Ndërsa shqiptarët tregojnë se po zbatojnë rregullat, kam besim se do të vijë dita që nuk do të kërkohet fare vizë”, ka thënë ndër të tjera, ambasadorja Kim.
Më tej ajo theksoi se vendi ka ndërmarrë reforma të rëndësishme, duke veçuar atë në drejtësi, për të cilën theksoi se ka pasur rezultate pozitive edhe pse shtoi se ka ende shumë punë për të bërë.
“Shqipëria ka ndërmarrë reforma të vështira, veçanërisht ajo në drejtësi. Ajo po jep rezultat. Edhe pse ka shumë punë për të bërë. Ne nuk do të ndalemi kurrë duke mbështetur Shqipërinë, ndërsa kemi forcuar demokracinë në vend. Bashkëpunimi ynë për mbrojtjen ka sjellë rezultate të mira”, u shpreh ambasadorja amerikane Kim, duke shtuar: “SHBA ka afruar 50 mln dollarë për mbrojtje kibernetike, duke shtuar se kjo është paketa më e madhe e ofruar ndonjëherë”.
(BalkanWeb)
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
–