Thu, Nov 28, 2024

Kronika satirike/ “Braçja foli si profet!”, Gjekmarkaj: Kryezëvendës lideri, Muli erdhi pas shumë muajsh për të na hatëruar. Majko duket si i përzhitur, tezja e heshtur

  • PublishedJune 22, 2023

Nga Agron Gjekmakaj

Kronikë e profileve të buta !
Doktori tha unë sot jam muxhadehin i lirisë. Ata 3500 janë ishallah s’kemi mbetë edhe ne aq pak.
Jorida ndihej e qetë dhe e sigurt në vishnjën e saj. Gjumin me gjasë e kishte bërë pa ngërçe, trazime e lebetira, pos një momenti kur në ëndërr i doli Luli duke thërritur fitoreeee. Dielli i bollshëm e kishte mbushur me energji pozitive. Kjo u vu re nga fotografët në hyrje ndaj të cilëve bëri sikur u bezdis po në fakt u gëzua. Në zyrë kishte gjetur përsëri lule. Nuk dihet në është Tao që as pohon e as mohon dërguesi apo ndonjë më me tepër shije. Gjithsesi te mazhoranca ndihet xhelozi dhe ndjenjë qortimi.

Ndërkohë dikush më pyeti kush është më naiv Ervin Salianji apo Gaz Bardhi!? Për herë të parë mbeta ngushtë e pa xhevap.

Dash Sula ky bard i estetikës kthehej nga betejat me vulistët i plagosur, por krenar. Thileja në xhepin e xhaketës i shkëlqente si flamur shpresat.

Gerta sot ishte veshur me të zeza për solemnitet. Ajo rri kokulur nga peshë e mendimeve. Kur ato përplasen koka lëviz. Shkëmbeu dy tre ide të domosdoshme me Bora Bilalin dhe përsëri u mbyll në vetvete si monument modestie. Shikimi i përzhitet vetëm kur autori i kronikes i hyn si djall në këndin e shikimit.

Kryezëvendës Lideri Muli erdhi pas shumë muajsh për të na hatëruar. Na gëzoi pa masë. Me dashuri si ati evletërit na foli e këshilloi pastaj iku drejt punëve të mëdha. Bana ënde s’na ka aq xhan sa lipset. E përhumbur në shikim nuk kuptohet në ka mall apo indiferenca. Zemra na qan. E Gaz Bardhit më tepër së është i ndjeshëm.

Elisa i gëzohet lajmit se do bëhet një antologji “kënge për Elisën” me një treshe editoriale e kryesuar nga Petrua si më i kalemit i ndihmuar nga Bujar Çela dhe Ismet Beqiri. Duhet një ekuilibër mes popullores dhe intelektuales. Parathënia ndoshta i mbetet Ulsi Manjës për shpërndarje gjeografike. Jo vetëm për kaq, por edhe si poet i fshehtë që është.

Majko duket si i përzhitur! Proçka e fundit e ka spërkatur me mërzi duke i derdhur mbi tavolinë kupën e gëzimit që i kishte pushtuar aurën. Tezja ishte aq e heshtur sot sa rrezikonte të dukej si njeri i mirë.

Ikonomi mbajti një fjalim i cili linte shijen e shtrirjes se petave të byrekut sa goja lëng na shkoi.
Mimi di Puçini këqyrte gjithçka pa vëmendje. Atë e kishte vetëm për gjërat që thoshte vete. Kosta i Gramozit dhe Linditës dukej si meit nga pandehmat. Shkandulli ka hyrë ndër ne e po bën qeder, thoshte i ziu gati me vaj. Do i zërë buka e Babos i pohonte vetes duke tundur kokën.

Braçja foli si profet dhe idealist pa asnjë grime populizmi, pikërisht ai që njohim.
Eni Zake e dëgjonte dhe shoqes i thoshte sa gjëra di ky Eri…shumë faree?! Margeriti i thoshte Ulsiut frazen e Ajshtanjit “kush ka për zemër kulturën nuk mund të jetë tjetër veç pacifist”. Ai tundi kokën i befasuar! Qerratai.

Babo thonë po rri në Izrael jo për ato që deklarohen, por për një kontratë unike me firmat vendase. Ajo është toka e kryqëzatave dhe për kastita u linin grave ca mbathje hekuri dhe çelësin e merrnin me vete sapo udhën e luftës merrnin. Babo do porosisë 140 palë për deputetët nga këto modernet dhe pinin do e marrë me vete!

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.